Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, paralajmëroi ndaj një rikthimi te mendësia etniko-nacionaliste dhe tha se Gjermania ka nevojë për emigracionin.
Pak para zgjedhjeve për parlamentet e landeve në Saksoni-Anhalt, Berlin dhe Meklenburg-Pomerani, Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, u shpreh kundër përjashtimit dhe diskriminimit të njerëzve që kanë emigruar në Gjermani, ose me prejardhje jo gjermane. Gjermania u përket “të gjithë atyre që jetojnë ligjërisht këtu”, tha ai në Berlin.
Kemi nevojë për emigracionin
Presidenti gjerman paralajmëroi ndaj një rikthimi te mendësia etniko-nacionaliste. Gjermania duhet të jetë një vend “që i thotë jo kujtdo që zhvillon fantazi për izolim etnik”, tha Steinmeier në Berlin. “Ne si vend kemi nevojë për emigracionin nëse duam që vendi ynë të funksionojë” – tha Steinmeier.
„Nuk ka qytetarë të klasit të parë apo të dytë”, theksoi ai. „Populli gjerman”, në kuptimin e Kushtetutës, „përfshin edhe gjermanët që i janë shtuar këtij vendi”, tha Presidenti gjerman.
Kushtetuta nuk njeh „gjermanë biologjikë”
Kushtetuta nuk njeh ndonjë bashkësi popullore të bazuar te gjaku i përbashkët dhe as privilegje në bazë të shtetësisë për të ashtuquajturit „gjermanë biologjikë”. Nuk është vetëm prejardhja e gjyshërve ajo që na bën gjermanë, dhe as gjaku që rrjedh në venat tona, tha Steinmeier.
„Është shtetësia, pavarësisht nëse është fituar përmes lindjes apo përmes natyralizimit. Është gjuha që ndajmë së bashku. Është dëshira për të jetuar së bashku në paqe dhe në liri. Është Kushtetuta që përbën bazën e vendit ku jetojmë”, tha Steinmeier.
Të flasim hapur për problemet
Presidenti Steinmeier nuk e përmendi me emër partinë Alternativa për Gjermaninë, AfD. Megjithatë deklaratat e tij mund të kuptoheshin si një kritikë e qartë ndaj kundërshtimit të kësaj partie ndaj migracionit. Gjermania nuk duhet të humbasë veten duke ndjekur parimin „ne kundër atyre”, tha Presidenti. Megjithatë është e nevojshme që problemet të trajtohen hapur, të merren parasysh frikërat dhe të kërkohen zgjidhje “me zemër të hapur dhe qëndrim të qartë”.
Gjermania ka nevojë për migracionin për të funksionuar “kjo vlen për spitalet, shtëpitë e të moshuarve dhe institucionet e kujdesit shëndetësor, dhe tashmë vlen edhe për fusha shumë të mëdha të ekonomisë private”.
Migracioni kërkon energji
Steinmeier pranoi se migracioni kërkon forcë dhe energji si nga qytetarët që kanë jetuar prej kohësh në Gjermani edhe prej komunave. Por, nga ana tjetër, sipas Steinmeier migracioni u jep atyre edhe forcë dhe mundësi të reja, për shembull kur kompanitë vendore gjejnë punonjës dhe punëtorë të mirë, ose kur vijnë inxhinierë për të cilët Gjermania ka nevojë. /DW
The post Steinmeier: Jo ideologjisë etniko-nacionaliste appeared first on Gazeta Express.

