Një situatë të rëndë emergjence po kalon fshati Gojan i Madh në Njësinë Administrative Gjegjan (Bashkia Pukë), ku një vatër e fuqishme zjarri ka dalë tërësisht jashtë kontrollit.
Të favorizuara nga erërat e forta dhe terreni i thyer pyjor, flakët i janë afruar me shpejtësi zonave të banuara, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e banorëve dhe pronat e tyre.
Sipas të dhënave të para nga terreni, zjarri ka përfshirë dhe dëmtuar disa banesa (përfshirë struktura në lagjen ‘Pepaj’), ndërsa disa shtëpi të tjera ndodhen nën kërcënimin e menjëhershëm të flakëve.
Për shkak të shkallës së lartë të rrezikut, autoritetet vendore dhe Emergjencat Civile kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të zonës.
Disa familje janë larguar tashmë nga shtëpitë e tyre nën monitorimin e forcave të policisë dhe strukturave të emergjencës./RTSH

