By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Fuçia e barutit në kokën tonë: Si e formojnë stereotipet e vjetra vështrimin tonë ndaj Ballkanit – dhe pse kjo tregon më shumë për ne sesa për vetë rajonin
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Fuçia e barutit në kokën tonë: Si e formojnë stereotipet e vjetra vështrimin tonë ndaj Ballkanit – dhe pse kjo tregon më shumë për ne sesa për vetë rajonin
TOP Momenti

Fuçia e barutit në kokën tonë: Si e formojnë stereotipet e vjetra vështrimin tonë ndaj Ballkanit – dhe pse kjo tregon më shumë për ne sesa për vetë rajonin

Momenti
Published: August 21, 2026

Në këtë artikull, historiani austriak Ralf Grabuschnig shkruan se imazhi i Ballkanit si “fuçi baruti” nuk është një realitet natyror, por një stereotip perëndimor i formuar historikisht, i cili tregon më shumë për vetëperceptimin dhe projeksionet e Perëndimit sesa për shkaqet komplekse të dhunës në vetë Evropën Juglindore.

Ralf Grabuschnig

Your browser does not support the video tag.

Kur në fillim të viteve 1990 shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi, për shumë vëzhgues shpjegimi për këtë dhunë dukej i qartë: sërish Ballkani. Sërish fuçia e vjetër evropiane e barutit. Sërish shpërthimi i një urrejtjeje që gjoja gjëmon vazhdimisht nën sipërfaqe në këtë rajon. Kjo ishte një narrativë e rehatshme, e njohur – dhe e gabuar.

Mbi të gjitha: kjo narrativë ka traditë. Vetë termi “Ballkan” ka origjinë osmane. Në fakt, ai përshkruan një vargmal në Bullgarinë e sotme dhe në burimet osmane zakonisht përdorej pikërisht në këtë kontekst.

Që ky emër i një vargmali t’i vishej dikur gjithë gadishullit, i detyrohemi – jo krejt rastësisht – një gjeografi gjerman: August Zeune, i cili në vitin 1808 shkroi për herë të parë për “gadishullin ballkanik”. Ai nuk ishte i vetmi evropian perëndimor që në këtë kthesë drejt shekullit XIX filloi të shkruante për Ballkanin.

Por çfarë saktësisht i përket Ballkanit dhe çfarë jo: kjo ishte e paqartë atëherë dhe mbetet e paqartë edhe sot. Si gadishull, kufijtë e rreptë gjeografikë janë të qartë vetëm në tri anë – perëndim, lindje dhe jug. Në veri, ndërkaq, kufijtë mbeten të paqartë deri sot. Përgjigjet për pyetjen se ku fillon “Ballkani” ndryshojnë ende shumë. Për ta kuptuar këtë paqartësi, mjafton të pyesësh njerëz në rrugët e Lubjanës, Zagrebit apo Budapestit. Ballkani fillon gjithmonë disa kilometra më tej.

Kjo paqartësi gjeografike nuk është rastësi. Ajo tregon diçka më themelore: Ballkani nuk është një rajon i përcaktuar qartë, por më shumë një ide. Një koncept. Dhe në fund të fundit: një ekran projeksioni.

Ky zhvillim vazhdoi së paku me përshkrimin e August Zeunes për “gadishullin”. Që në shekullin XVIII, kur fuqia osmane në Evropë filloi ngadalë të dobësohej, rajoni u hap për udhëtarët perëndimorë. Fillimisht erdhën kryesisht tregtarë dhe diplomatë nga Perandoria Habsburgase dhe Venecia. Që nga fillimi i shekullit XIX, erdhën gjithnjë e më shumë udhëtarë të pasur, kryesisht nga Franca dhe Britania e Madhe, në kuadër të “Grand Tour”-it, të njohur atëherë nëpër Evropë.

Në Ballkan, ata kishin një destinacion të caktuar: Greqinë. “Djepin e qytetërimit evropian”, siç e shihnin shumë prej tyre. Të rinjtë që udhëtonin donin të shkonin te Akropoli, në Delfi, te gjurmët e Athinës dhe Spartës.

Ajo që gjenin realisht atje, megjithatë, rrallë përputhej me pritshmëritë e tyre. Popullsia reale e Greqisë kishte pak të përbashkët me helenët e lashtë që kishin në mendje udhëtarët. Shkrimtari francez François-René de Chateaubriand madje u këshillonte turistëve të tjerë: “Mos e shihni kurrë Greqinë, zotëri, përveçse te Homeri. Kjo është mënyra më e mirë.” (Maria Todorova: Imagining the Balkans, Oxford University Press, 1997, f. 94)

Ishte një qëndrim që më vonë do të shtrihej nga Greqia në të gjithë gadishullin ballkanik. Popullsia lokale përshkruhej në raportet perëndimore të udhëtimit të shekullit XIX si e prapambetur, arkaike dhe e paqytetëruar. Udhëtari anglez Harry de Windt e titulloi shkurt e shkoq një raport udhëtimi të vitit 1907 “Through Savage Europe” (Nëpër Evropën e egër), për të mos lënë asnjë dyshim në këtë drejtim.

Këto përshkrime, megjithatë, as atëherë nuk lindën në vakuum. Ato u shkruan nga njerëz prej dy perandorive më të mëdha koloniale të kohës: Britania e Madhe dhe Franca. Nga njerëz që ishin mësuar t’i shihnin pjesë të tjera të botës si të prapambetura dhe ta pranonin këtë prapambetje si justifikim për sundimin kolonial.

Kështu ishte tani edhe vështrimi ndaj Ballkanit, deri atëherë pak i njohur. Për shkak të pozicionimit të tij brenda Evropës, ai nuk mund të përshtatej si një “tjetër” krejtësisht i huaj, por u bë një lloj “tjetri brenda vetes”. Jo krejtësisht oriental, por edhe jo vërtet evropian. Një hapësirë e ndërmjetme. Një zonë kufitare.

Historianja bullgare Maria Todorova e ka quajtur këtë fenomen “ballkanizëm”, duke iu referuar konceptit të famshëm të orientalizmit të Edward Saidit. Ashtu si në rastin e Orientit, argumenton Todorova, edhe paraqitja e stereotipizuar e Ballkanit shërbente kryesisht për një qëllim: vetëpërkufizimin pozitiv të Perëndimit.

Duke e përshkruar Ballkanin si të egër, të dhunshëm dhe irracional, Perëndimi mund ta shihte veten si e kundërta e saktë: e ndriçuar, moderne, racionale dhe paqësore.

Deri në fund të shekullit XIX, ky perceptim i Ballkanit fitoi një përcaktim domethënës që mbetet edhe sot: “fuçi baruti”. Përshkrimet që e paraqisnin rajonin si të rrezikshëm dhe shpërthyes filluan të shtoheshin nga vitet 1870: në kohën e Kongresit të Berlinit dhe të ndezjes së “çështjes maqedonase”. Ideja e Ballkanit si “fitil në fuçinë e barutit evropian” (vetë rajoni shndërrohet në fuçi baruti më vonë) u vendos përfundimisht me Luftërat Ballkanike të viteve 1912/13 dhe shpërthimin e mëpasshëm të Luftës së Parë Botërore.

“Serbia është edhe sot fitili më i nxehtë i fuçisë evropiane të barutit. Nëse duam të parandalojmë një shpërthim, zjarri duhet të shuhet shpejt dhe me dorë të fortë”, shkroi për shembull gazeta vjeneze “Neuigkeits-Welt-Blatt” në korrik të vitit 1914 – vetëm disa ditë para fillimit të luftës.

Në atë kohë, deklarata të tilla nuk ishin më raste të izoluara. Lidhja mes “Ballkanit” dhe “dhunës” ishte tashmë fort e ngulitur në kujtesën kolektive të Perëndimit që në fillim të shekullit XX – dhe atje do të mbetej.

Kështu, ky imazh i Ballkanit mbetet i pranishëm deri sot dhe pothuajse nuk ka ndryshuar gjatë njëqind viteve të fundit. Përgjatë shekullit XX, metafora e fuçisë së barutit thjesht u ringjall sërish e sërish. Në kontekstin e Luftës së Ftohtë dhe, natyrisht, edhe në vitet 1990.

“Tani që komunizmi ka rënë, po qarkullojnë mbi Ballkanin emocione që kanë humbur funksionin e tyre legjitim”, shkroi gazetari amerikan Robert Kaplan në vitin 1993, në librin e tij të suksesshëm “Balkan Ghosts” (Fantazmat e Ballkanit).

Libri arriti sukses ndërkombëtar pikërisht në mes të luftës në Jugosllavi dhe formësoi perceptimin e një brezi të tërë vendimmarrësish politikë, diplomatikë dhe ushtarakë. Kaplan skiconte një rajon pa përvojat formuese të Rilindjes (Renesansës) dhe Iluminizmit. Në vend të kësaj, rajoni ishte, sipas tij, i karakterizuar nga “urrejtja shekullore”, e ngrirë nën sundimin osman e më pas komunist, e cila tani po dilte sërish në sipërfaqe me gjithë fuqinë e saj.

Kjo ishte një përsëritje e narrativës së vjetër për Ballkanin e dhunshëm dhe pati pasoja krejt reale edhe në vitet 1990. Bill dhe Hillary Clinton e kishin lexuar librin e Kaplanit, ashtu si edhe anëtarë të shumtë të komunitetit ndërkombëtar diplomatik. Dhe ideja se luftërat jugosllave ishin thjesht një shpërthim i një urrejtje ballkanike, të lashtë dhe irracionale, kontribuoi gjithashtu në faktin që Perëndimi ngurroi kaq gjatë të ndërhynte më vendosmërisht.

Ndërsa në Washington dhe Bruksel, në fillim të viteve 1990, po debatohej, Sarajeva mbeti e rrethuar për më shumë se tre vjet. Në vitin 1995, në Srebrenicë u vranë mbi 8000 njerëz.

Narrativa e rehatshme e “urrejtjes së lashtë” fshihte atë që në të vërtetë kishte ndodhur në Jugosllavi. Shpërbërja e dhunshme e këtij shteti pati sigurisht shumë shkaqe: kriza ekonomike, rënia e bllokut lindor, dështimi institucional dhe instrumentalizimi i qëllimshëm i narrativave nacionaliste nga elitat politike.

Të gjithë këta faktorë do të meritonin të diskutoheshin. Por fakti që në vend të kësaj u fol me zë të lartë për një urrejtje irracionale e të lashtë, e mbylli pamjen ndaj kompleksitetit real.

Aspekte të tilla si fakti që edhe në vitin 1985 – vetëm gjashtë vjet para fillimit të luftës – një përqindje jashtëzakonisht e lartë e të rinjve në Jugosllavi u identifikua në një sondazh për herë të parë kryesisht si “jugosllavë”. Ose fakti që ende në vitin 1990, në pothuajse të gjitha qytetet e mëdha të vendit, kishte protesta të mëdha antiluftë. Ose fakti që shumë ushtarë, në javët dhe muajt e parë të luftërave, dezertuan ose refuzuan urdhrat.

Lufta nuk ishte ligj natyror. Ajo ishte një katastrofë e krijuar nga njerëzit, ashtu si të gjitha katastrofat e tilla, dhe mund të ishte parandaluar nga njerëzit.

Kjo është një e vërtetë që fshihet pas imazhit të rehatshëm dhe të thjeshtuar që Perëndimi ka për Ballkanin. Antropologia Tone Bringa e thotë shkurt e qartë: “Na vjen lehtë ta shohim ish-Jugosllavinë me një mendjemadhësi vetëkënaqëse. Por kjo histori mbart mësime për të gjitha shoqëritë. Sepse edhe gjetkë ekzistojnë rryma të fshehta të mosdurimit, racizmit dhe frikës nga ‘tjetri’. Rryma që, kur nxiten nga të fuqishmit, mund të shndërrohen në dhunë, ose tolerohen nga shteti derisa lulëzojnë pa ndëshkim.”

Këto rryma mund të bëhen të rrezikshme kudo, edhe “tek ne”. Fuçia e barutit, siç duket, gjendet më pak në Ballkan e më shumë në kokat tona.

Ralf Grabuschnig është historian dhe krijues i mediave dixhitale. Në podkastin e tij “Deja-vu Geschichte” dhe në buletinin javor (newsletter) “Geschichtshappen”, ai merret me rrënjët e së tashmes sonë. Ky shkrim bazohet në serialin e tij të podkastit “Ballkani si fuça e barutit”. Teksti u botua në blogun e historisë të gazetës austriake “Standard”. Përktheu dhe redaktoi: E.R.

You Might Also Like

Pas pushimit, seanca e parë plenare e Kuvendit është caktuar për më 2 shtator
“Çfarë dështimi”, Bajrami kritikon Qeverinë për tekstet: Prindërit ende pa para e pa libra
ASH: Në listën e Akademisë Ushtarake në Shkup për pranimin e kadetëve të rinj ka 46 kandidatë por vetëm një është shqiptar
Hoti: Inspektorati i Minierave është përgjegjës për aksidentet në sektorin minerar
Flakët dalin jashtë kontrollit në Pukë, shkrumbohen 3 banesa – nis evakuimi i banorëve

LEXO GJITHASHTU

PDK i dërgon sërish letër Deharit: Thirre vazhdimin e seancës për nesër, mosrespektimi i procedurave po e thellon situatën
PDK i dërgon sërish letër Deharit: Thirre vazhdimin e seancës për nesër, mosrespektimi i procedurave po e thellon situatën
Lajme
Ibrahimi: 380 milionë iu morën komunave për gjashtë vjet – këtu ka gjakderdhje të pastër financiare
Ibrahimi: 380 milionë iu morën komunave për gjashtë vjet – këtu ka gjakderdhje të pastër financiare
Lajme
“Albin Kurti e kishte obligim të kujdesej për çlirimtarët”, Çadraku i quan poshtërsi veprimet e kryeministrit në detyrë
“Albin Kurti e kishte obligim të kujdesej për çlirimtarët”, Çadraku i quan poshtërsi veprimet e kryeministrit në detyrë
Lajme
“Thaçi mundet me u liru nga rasti i parë, me vazhdu rasti u dytë për të”, Hodaj tregon sa mund të zgjasë kjo
“Thaçi mundet me u liru nga rasti i parë, me vazhdu rasti u dytë për të”, Hodaj tregon sa mund të zgjasë kjo
Lajme
Tahiri thotë se partitë e kanë mundësinë e mirë që pas 16 shtatorit ta japin mbështetjen për Hashim Thaçin President
Tahiri thotë se partitë e kanë mundësinë e mirë që pas 16 shtatorit ta japin mbështetjen për Hashim Thaçin President
Lajme

You Might Also Like

Raporti: Rritja e turizmit në Shqipëri shton rrezikun e shfrytëzimit seksual të fëmijëve
TOP Momenti

Raporti: Rritja e turizmit në Shqipëri shton rrezikun e shfrytëzimit seksual të fëmijëve

August 21, 2026
Filipçe: Mickoski dhe OBRM-PDUKM-ja të kërkojnë falje për lajmet e rreme për rastin e spitalit modular
TOP Momenti

Filipçe: Mickoski dhe OBRM-PDUKM-ja të kërkojnë falje për lajmet e rreme për rastin e spitalit modular

August 21, 2026
Hiqen dilemat: Viti i ri shkollor në Kosovë nis më 1 shtator
TOP Momenti

Hiqen dilemat: Viti i ri shkollor në Kosovë nis më 1 shtator

August 21, 2026
QMK: Zjarri në Nikushtak ende jashtë kontrollit, pritet ndërhyrje nga ajri
TOP Momenti

QMK: Zjarri në Nikushtak ende jashtë kontrollit, pritet ndërhyrje nga ajri

August 21, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?