Ministria e Mbrojtjes e Turqisë i bëri thirrje Izraelit t’i japë fund “sulmeve të pamatura”, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu mbrojti një sulm izraelit ndaj një baze ajrore ushtarake në Siri, raportoi sot agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu.
Duke mbrojtur sulmin, Netanyahu pretendoi të mërkurën se Turqia – aleate e SHBA-së në NATO dhe një nga kundërshtarët kryesorë rajonalë të Izraelit – kishte synim të dislokonte forca në atë bazë. Në përgjigje, Ministria turke e Mbrojtjes tha të enjten se nuk kishte pasur asnjë delegacion ushtarak në bazën ajrore siriane para apo gjatë sulmit izraelit, raportoi Anadolu.
Netanyahu pranoi të martën se Izraeli e kishte kryer sulmin, i cili më vonë u kritikua nga i dërguari i administratës Trump për Sirinë, Tom Barrack, si një “përshkallëzim të panevojshëm”.
Kryeministri izraelit tha se Turqia po planifikonte të dislokonte kapacitete ushtarake në bazën ajrore në jug të Alepos – pretendim që Turqia e hodhi poshtë si “të pabazë”.
Turqia e lidhi veprimin e Netanyahut me zgjedhjet e ardhshme të tetorit në Izrael, duke e cilësuar atë si pjesë të “synimit për të ndjekur politika ekspansioniste dhe destabilizuese në rajon”.
The post Turqia i bën thirrje Izraelit t’i japë fund “sulmeve të pamatura” në Siri appeared first on Gazeta Express.

