Policia e Kosovës ka njoftuar se dy të rinj kanë vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku në fshatin Smrekovnicë, në rrugën Mitrovicë-Prishtinë në orët e para të së mërkurës.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, bëhet fjalë për një 22 dhe një 24-vjeçar.
Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Rreth orës 02:53, të datës 19 gusht 2026, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Smrekovnicë, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet. Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, në aksident është përfshirë një veturë, në të cilën ndodheshin shoferi dhe pasagjeri. Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tyre. Me urdhër të prokurorit kompetent, trupat e pajetë të viktimave, meshkuj të moshës 22 dhe 24 vjeç, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në njoftim të Policisë.
Policia ka njoftuar se po kryhen hetimet për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

