BE-ja tha se janë përmbushur tashmë kushtet për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë. Cilat ishin këto kushte?
Gazeta Express
Bashkimi Europian konfirmoi për Gazetën Express se janë përmbushur kushtet për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë.
Punimet në urë dhe vlerësimet konsultimet shtesë kishin përfunduar tashmë, përpara se KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, të konfirmonte të hënën se ka nisur një “tranzicionin gradual” të pranisë së përhershme të trupave nga ura kryesore mbi lumin Ibër, duke konfirmuar kështu edhe raportimet se Policia e Kosovës atë dite ishte parë të qëndronte në urë.
Një zëdhënës i Bashkimit Europian i tha Expressit se ishin të informuar nga NATO.
“Dislokimi i një misioni të NATO-s në Kosovë është çështje që vendoset nga NATO. Mund të konfirmojmë se BE-ja është informuar nga NATO”, tha një zëdhënës i BE-së.
Lidhur me urën, zëdhënësi ka rikujtuar pozicionin e BE-së në raportin e vitit 2025 për vendin.
Në atë raport, thuhet se “punimet në urën e Austerlicit në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, kanë përfunduar” dhe se “qëndrimi i BE-së mbetet se ura duhet të hapet”.
“Hapja duhet të koordinohet me partnerët e sigurisë”, theksohej në atë raport.
Për BE-në, duket se ky kusht është përmbushur pas njoftimit nga KFOR-i.
“Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet. Mund të konfirmojmë, siç është përmendur tashmë në raportin vjetor të vitit të kaluar, se ky është vërtet rasti”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Gazetës Express.
Ky proces, KFOR-i ka thënë se do të jetë “gradual” dhe se për këtë “po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë”.
“Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e dislokimit të KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Shefi i Mbrojtjes i Serbisë, gjenerali Mojsilovic, është informuar rregullisht gjithashtu. Gjeneralmajor Ulutas, Komandanti i misionit të KFOR-it, mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në Institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”, thuhet në një përgjigje të KFOR-it për Gazetën Express të hënën.
Misioni i NATO-s në Kosovë tha se trupat e KFOR-it janë të pozicionuar mirë “për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant”.
Të hënën, KFOR-i njoftoi gjithashtu se ka nisur “integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it, në Manastirin e Deçanit”.
The post Çfarë paralajmëronte BE-ja vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit dhe cilat kushte u përmbushën appeared first on Gazeta Express.

