Një person është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të qenve. Kjo u bë e ditur përmes një postimi të “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”.
Sipas njoftimit të tyre thuhet se personi i shpallur fajtor është dënuar me 300 euro.
“Në një aktgjykim të fundit, Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor I.K. për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të qenve dhe e ka dënuar me gjobë prej 300 euro. Rasti është inicuar pas kallëzimit penal të dorëzuar nga organizata jonë”, shkruhet në postim.
Tutje, nga kjo organizatë shprehen të zhgënjyer se rastet e luftimit të qenve po dënohen vetëm me gjobë.
“Ndonëse mbetemi të zhgënjyer që deri më tani, rastet e luftimit të qenve kanë rezultuar vetëm me dënime me gjobë, e vlerësojmë faktin që gjykata e ka njohur veprën e shkaktuar dhe ka konstatuar fajësinë e të pandehurit”, thuhet ne postim.
Lidhur me rastet e luftimit të qenve nga organizata shprehen shqetësimin e mospërfshirjes në aktgjykime të masave të parapara me ligj.
“Neni 16 i Ligjit Nr. 08/L-188 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Penal parasheh konfiskimin e kafshëve dhe ndalimin e personit të dënuar për të mbajtur kafshë. Këto masa janë veçanërisht të rëndësishme në rastet e luftimit të qenve, ku kafshët janë drejtpërdrejt të përfshira në veprën penale”, thuhet në njoftim.
Ata kërkuan që përveç konstatimit të përgjegjësisë penale, të zbatohen edhe masat e parapara më Kodin Penal.
The post Shpallet fajtor një person për pjesëmarrje ose organizim të luftimit të qenve appeared first on Gazeta Express.

