Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se ekipet e kontrollit kanë vazhduar edhe gjatë fundjavës inspektimet në terren për identifikimin e keqpërdorimeve të ujit dhe lidhjeve të parregullta.
Sipas KRU “Mitrovica”, gjatë kontrolleve janë evidentuar raste të përdorimit të ujit përmes lidhjeve që nuk janë të përfshira në sistemin e rregullt të matjes, si dhe raste të furnizimit pa matje përmes ujëmatësit.
Kompania ka paralajmëruar se lidhjet e parregullta, ndërhyrjet në sistemin e furnizimit dhe keqpërdorimi i ujit nuk do të tolerohen.
“Personat të cilët evidentohen duke keqpërdorur ujin ose duke pasur lidhje të parregullta do t’i nënshtrohen masave përkatëse dhe procedurave ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.
Konsumatorëve u është bërë thirrje që të kontrollojnë nëse instalimet e tyre janë të rregullta dhe nëse çdo lidhje përmes së cilës furnizohet objekti me ujë është e përfshirë në sistemin e matjes përmes ujëmatësit.
KRU “Mitrovica” ka bërë të ditur se ekipet e kontrollit do të vazhdojnë aktivitetet në terren me qëllim të evidentimit të parregullsive dhe mbrojtjes së sistemit të furnizimit me ujë.
“Uji është i të gjithëve. Mos e keqpërdorni!”, është apeli i kompanisë.
The post “Uji është i të gjithëve, mos e keqpërdorni!” – KRU “Mitrovica” paralajmëron masa ndaj keqpërdoruesve appeared first on Gazeta Express.

