Punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Haxhi (Selatin) Gojnovci, ka vdekur pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra në një aksident të rëndë në vendin e punës.
KEK-u ka njoftuar se Gojnovci ndërroi jetë të dielën, më 16 gusht, rreth orës 20:30, pas aksidentit që kishte ndodhur gjatë kryerjes së detyrave të punës në zonën e ekskavatorit.
Një ditë më parë ishte raportuar se punëtori kishte pësuar lëndime të rënda në këtë aksident.
Sipas njoftimit të KEK-ut, Haxhi Gojnovci, i lindur më 23 prill 1967 në Lismir të Fushë Kosovës, ishte i sistemuar në pozitën “Teknik i Xehtarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.
“Më 16.08.2026, gjatë kryerjes së detyrave të punës dhe derisa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, i ndjeri ka pësuar një aksident të rëndë, i cili fatkeqësisht ka rezultuar me humbjen e jetës së tij”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Gojnovci ishte pjesë e KEK-ut që nga 15 nëntori i vitit 1985, duke kontribuar për më shumë se katër dekada në Korporatë.
KEK-u e ka përshkruar atë si punëtor të përkushtuar dhe të përgjegjshëm, duke theksuar korrektësinë dhe raportet e mira kolegiale që kishte ndërtuar ndër vite.
“Familjes Gojnovci, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet më tej në njoftim.
The post Nuk i përballoi plagët e marra në vendin e punës, vdes punëtori i KEK-ut appeared first on Gazeta Express.

