Presidenti Donald Trump ishte në Long Island të premten për të bërë fushatë me kreun ekzekutiv të Nassau County, Bruce Blakeman, të cilin ai e ka mbështetur për guvernator të Nju Jorkut.
Z. Trump u prit nga qindra mbështetës brenda Mack Center for Training and Intelligence të Nassau County, ndërsa vuri në dukje rënien e krimit të dhunshëm në nivel kombëtar.
“Hochul dhe e majta radikale qëndrojnë në krah të anëtarëve të bandave, grabitqarëve të fëmijëve dhe kriminelëve të dhunshëm. Ne qëndrojmë në krah të njujorkezëve punëtorë”, tha ai.
Mesazhi i Trump ishte “Ta bëjmë Amerikën përsëri të sigurt” nën drejtimin e Blakeman.
“Faleminderit, President Trump, dhe Zoti ju bekoftë për gjithçka që bëni”, tha Blakeman. “Ne ju vlerësojmë. Vazhdoni përpara!”
Dalja e Trump mund të ndihmojë republikanët që synojnë të rrëzojnë nga postet anëtarët demokratë të Kongresit, Tom Suozzi dhe Laura Gillen.
Blakeman foli për suksesin e tij në uljen e kriminalitetit përmes punës me agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE).
“Kathy Hochul dhe Zohran Mamdani, ata thanë se marrëveshja jonë me ICE ishte mizore”, tha ai.
Në një moment, presidenti e ndërpreu fjalimin dhe u largua nga skena për të përqafuar prindërit e Jacob Freytes. 12-vjeçari u vra nga një plumb qorr, ndërsa po shkonte në dyqan në Bronx muajin e kaluar.
Sipas mediave amerikane, Presidenti po synon t’u japë shtysë republikanëve në garat elektorale të forta përpara zgjedhjeve të mes mandatit të nëntorit.
“Ardhja e Trump u thotë atyre votuesve: ‘Hej, ky është njeriu im’”, tha Lawrence Levy, dekan i Hofstra National Center for Suburban Studies.
“Çështjet ku Donald Trump përqendrohet – emigracioni dhe siguria publike, kur ai flet për uljen e taksave dhe kundërshtimin e socializmit – kanë një mbështetje shumë, shumë të lartë.”
“Kemi një prani jashtëzakonisht të madhe policore. Po punojmë shumë ngushtë me Shërbimin Sekret për t’u siguruar që ky të jetë një aktivitet i sigurt për të gjithë, jo vetëm për presidentin, por për të gjithë ata që marrin pjesë dhe për këdo që jeton ose punon në zonën përreth”, tha Blakeman përpara aktivitetit. /Panorama
The post Presidenti Trump bën fushatë me Bruce Blakeman, kandidat për Guvernator të New Yorkut: Ta bëjmë Amerikën përsëri të sigurt appeared first on Gazeta Express.

