Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rustemi, ka dënuar gjuhën kërcënuese të përdorur ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, duke u distancuar nga deklaratat dhe personat që mund të kenë bërë thirrje të tilla.
Rustemi, në një prononcim për emisionin Kosova Live në T7, tha se një gjuhë e tillë është e papranueshme në çdo rrethanë, qoftë në Kuvend apo në rrjetet sociale.
“Një gjuhë e tillë nuk mund të përdoret jo vetëm në sallën e Kuvendit, në ambientet, por nuk mund të përdoret askund, as në rrjetet sociale, ndaj askujt. Domethënë, as ndaj z. Haradinaj, por as ndaj ndonjë politikani tjetër. Është thjesht diskurs i papranueshëm, që meriton edhe të dënohet dhe për të cilin e dënoj publikisht edhe distancohem personalisht”, deklaroi Rustemi.
Ai mohoi të ketë lidhje me personin për të cilin janë ngritur pretendime publike, duke thënë se edhe mbrëmjen e kaluar kishte reaguar ndaj aludimeve për lidhje kriminale.
“Unë kam thënë publikisht mbrëmë që ky aludim për lidhje kriminale është i pabazuar dhe natyrisht e kam paralajmëruar, pa ditur se vërtetësinë individuale, por edhe mediat të cilat e kanë plasuar si të tillë”, tha ai.
Rustemi foli edhe për prejardhjen e tij familjare, duke sqaruar se vjen nga fshati Dobratin i Komunës së Lipjanit dhe familja Bugiqi.
Ai theksoi se, pavarësisht se mund të ekzistojë ndonjë lidhje familjare me persona të caktuar, kjo nuk nënkupton se pajtohet me deklaratat apo veprimet e tyre.
The post Rustemi dënon gjuhën kërcënuese ndaj Haradinajt: Nuk kam asnjë lidhje, distancohem publikisht appeared first on Gazeta Express.

