Personi i dyshuar për kërcënimin ndaj ish-kryeministrit të Kosovës dhe deputetit, Ramush Haradinaj, është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se i dyshuari është arrestuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Sipas saj, ndaj të dyshuarit do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.
Arrestimi ka ndodhur vetëm disa orë pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ndërmarrë veprime urgjente lidhur me kërcënimin ndaj deputetit me inicialet R.H.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhej se, menjëherë pas pranimit të informatave për kërcënimin, prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm kishte autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme, për identifikimin e personit të dyshuar dhe ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme.
“Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Rasti u bë publik pasi Haradinaj njoftoi se kishte marrë një mesazh kërcënues, në të cilin përmendej edhe pushkatimi i tij.
Prokuroria ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të rastit dhe për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi./Telegrafi.

