Deputetja e PDK’së, Vlora Çitaku, për ngjarjet e sotme brenda Kuvendit të Kosovës, tha se deputetë nga partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, ishin të shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë, për të cilët tha se kanë cenuar integritetin fizik të disa deputetëve të PDK’së.
“Sot pamë edhe disa shfaqje jo të këndshme në sallë në Kuvend,. Kishte deputetë të shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë, mbrojtjes së afërt, të cilët cenuan edhe integritetin fizik të disa prej deputetëve të PDK. Edhe për këtë çështje ne do t’i ndërmarrim masat në Inspektoratin Policor të Kosovës”.
Ajo tha se para se të shkonin sot në Kuvend, PDK dje është kërkuar zyrtarisht që të thirret vazhdimi i seancës.
“Një mundësi që Avni Dehari dhe VV të reflektonin. Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, me aktgjykimet dhe Rregulloren e Kuvendit, po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij. Kuvendi s’u konstitua”.
“Pra nuk kemi të bëjmë me një incident procedural. Kemi një model të sjelljes politike kur Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie. Kjo është e papranueshme. Kur vullneti i një partie politike vendoset mbi Kushtetutën, mbi rregullat dhe mbi institucionet atëherë kemi suspendim praktik të rendit kushtetues dhe demokracisë. Kuvendi është efektivisht i mbyllur. Deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të tyre, këto mandate s’na i ka dhënë Albin Kurti dhe VV, por qytetari i Kosovës”.
Çitaku shtoi se përmes bllokimit të konstituimit të Kuvendit, “Albin Kurti praktikisht po na e pamundëson ushtrimin e mandatit që na e kanë dhënë qytetarët. Kjo s’është vetëm supsendim i Kuvendit, por i demokracisë”.
“E kemi një thirrje për Albin Kurtin: ta kthejë vendin në binarë kushtetues, ta konstituojmë Kuvendin, t’u lejojë deputetët të ushtrojnë funksionet e tyre, ta lë Republikën që të funksionojë. S’po kërkojmë marrëveshje për PDK’në, po kërkojmë funksionalizimin e shtetit”.
The post Çitaku: Pjesëtarë të mbrojtjes së afërt cenuan integritetin e deputetëve të PDK’së, do t’i drejtohemi IPK’së appeared first on Gazeta Express.

