Tensionet në Kuvendin e Kosovës kanë eskaluar gjatë zhvillimeve të fundit, me përplasje të shumta mes deputetëve të partive të ndryshme politike.
Një nga incidentet ka ndodhur mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
Gjatë përplasjes, Lushtaku e ka kapur Rrustemin për krahu, ndërsa i është drejtuar me fjalët: Nuk e largojë dorën, shko thirre kryetarin tënd.

Situata është shoqëruar me tensione dhe debate të ashpra mes deputetëve në sallë.
Përplasje verbale ka pasur edhe mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmanit dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola.

Gjatë debatit, Rrahmani i është drejtuar Golës duke e quajtur “rrenc”, duke e tensionuar edhe më tej situatën në Kuvend.
Në një moment tjetër, Ardian Gola është lagur me ujë nga deputetë të tjerë, në një situatë që pasoi përplasjet e shumta në sallë.

Po ashtu deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi është përplasur me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Në momentin kur Nagavci po hynte në sallën e Kuvendit, Bytyqi ka reaguar duke e kapur për duarsh dhe duke e shtyer, për të mos e e lejuar të hyjë në sallë.

Në një tjetër moment Bytyqi ka hedhur letra në drejtim të deputetes së LVV-së.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka lagur me ujë deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Edhe deputetja e Guxo-s, Donika Gërvalla është përballur me deputetet e Kuvendit të Kosovës, të cilët kërkuan që partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit të thërrasë seancën konstituive.
Mirëpo Gërvalla i kërkoi deputetës së PDK-së, Blerta Deliut që të largohet duke i thënë “Po të vjen era e gojës”.


