Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim gjeneralmajorin Stephen E. Osborn, adjutant i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, projektet dhe aktivitetet e përbashkëta, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.
Jashari e ka falënderuar Osbornin për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e partneritetit për zhvillimin profesional dhe operacional të FSK-së.
Në takim janë shkëmbyer gjithashtu qëndrime lidhur me zhvillimet aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve.
Gjatë vizitës, gjeneralmajor Osborn ka vizituar edhe Njësinë e Operacioneve Speciale të FSK-së, ku është njohur nga afër me kapacitetet, zhvillimin dhe aktivitetet e kësaj njësie.
Në përfundim, komandanti i FSK-së ka shprehur mirënjohjen për Gardën Kombëtare të Ajovës për mbështetjen dhe bashkëpunimin ndër vite, duke vlerësuar partneritetin dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e paqes dhe sigurisë. /Zëri

