Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të ndara të armëmbajtjes pa autorizim gjatë 24 orëve të fundit, në Podujevë, Fushë Kosovë dhe Prishtinë.
Në këto raste janë konfiskuar armë zjarri, municion, një elektroshok dhe një thikë, ndërsa të dyshuarit janë proceduar sipas vendimeve të prokurorëve kompetentë.
Rasti i parë është regjistruar më 6 gusht 2026, rreth orës 13:20, në fshatin Bradash të Podujevës.
Policia arrestoi një të dyshuar, mashkull kosovar, pasi gjatë kontrollit iu gjetën dhe konfiskuan një pistoletë, dy karikatorë, 17 fishekë dhe një thikë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Fsh.Bradash, Podujevë 06.08.2026-13:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri pistoletë, dy karikatorë, 17 fishekë dhe një thikë. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.
Në një rast tjetër, të ndodhur rreth orës 19:45 në fshatin Sllatinë e Madhe të Fushë Kosovës, policia ndaloi një shtetas të Serbisë.
Gjatë kontrollit, tek ai u gjet dhe u konfiskua një elektroshok. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
“Fsh.Sllatinë e Madhe, Fushë Kosovë 06.08.2026 – 19:45. Është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë, gjatë kontrollimit tek personi i dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një elektroshok i firmës. Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”.
Ndërkaq, rreth orës 22:10 në rrugën “Ejup Statovci” në Prishtinë, policia ndërhyri pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.
Në vendin e ngjarjes u identifikuan dhe u ndaluan dy të dyshuar, meshkuj kosovarë, të cilët pranuan se kishin shtënë me armë.
Policia konfiskoi një armë automatike AK-47, një pistoletë, 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 14 fishekë të kalibrit 9 mm, si dhe 19 gëzhoja.
“Rr. Ejup Statovci, Prishtinë 06.08.2026 – 22:10. Në një aheng dasme raportohet për të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë identifikuar dhe ndaluar dy të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët kanë pranuar se kanë gjuajtur me armë zjarri. Në vendin ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar : një armë AK-47 , një pistoletë, 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 14 fishekë të kalibrit 9 mm si dhe 19 gëzhoja. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të Prokurorit lirohen në procedurë të rregullt”. /Telegrafi/

