Katër persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur të premten në orët e hershme të mëngjesit në aksin rrugor Gjilan-Koretishtë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur më 7 gusht 2026, rreth orës 05:00, ku janë përfshirë dy automjete.
“Sot, rreth orës 05:00, në aksin rrugor Gjilan-Koretishtë ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë dy automjete. Si pasojë e aksidentit, përveç dëmeve materiale, lëndime trupore kanë pësuar dy drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerë”, ka deklaruar Osmani.
Sipas tij, të lënduarit pas pranimit të tretmanit mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan janë liruar për në shtëpi.
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjilan, përkatësisht hetuesit policorë të trafikut, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti. /Telegrafi/

