Nga: Pamela Shifman / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Veçse ka sfiduar shumë komentues politikë që vinin në dyshim nëse ai mund t’i fitonte zgjedhjet paraprake. Tani, shumë nga të njëjtët komentues do të shtrojnë pyetje të njohura mbi faktin nëse një kandidat progresist mund të fitojë në një zgjedhje të përgjithshme konkurruese, veçanërisht në një shtet të ndarë mes demokratëve dhe republikanëve. Ky do të ishte një gabim.
Shumë shpesh, gjykimet tradicionale mbi zgjedhshmërinë bëhen profeci që përmbushin vetveten. Udhëheqësit kombëtarë vendosin se një kandidat ose një shtet është tepër i rrezikshëm, donatorët tërhiqen dhe mungesa e investimeve që pason citohet më vonë si provë se gara nuk ishte kurrë e mundshme.
Kjo logjikë qarkore na dëmton të gjithëve. Energjia që qëndron pas fushatës së El-Sayedit duhet të kuptohet për atë që është: një mundësi. Në një moment kur demokratët kanë deklaruar me të drejtë se një koalicion i gjerë është thelbësor për ta mposhtur MAGA-n [Make America Great Again], El-Sayedi është ndër ata që po ndërtojnë një të tillë. Demokratët në nivel kombëtar dhe donatorët duhet ta shfrytëzojnë këtë energji dhe të investojnë në koalicionin që ai ka ndërtuar, në mënyrë që demokratët të mund të fitojnë në Miçigan në këtë nëntor – dhe përsëri në vitin 2028.
Organizata që drejtoj unë, Democracy Alliance, prej kohësh beson se pushteti politik ndërtohet me kalimin e kohës duke investuar te udhëheqësit lokalë, duke organizuar punën gjatë gjithë vitit dhe duke arritur te njerëzit përmes zërave të cilëve ata u besojnë. Ky investim është veçanërisht i rëndësishëm tani, ndërsa po dëshmojmë një përpjekje për të përqendruar pushtetin në Presidencë dhe për të dobësuar çdo institucion të aftë për ta kontrolluar atë.
Kundërpërgjigjja do të kërkojë një koalicion të gjerë të aftë t’u bëjë ballë përpjekjeve për të na frikësuar dhe për të na përçarë. Do të kërkojë riaktivizimin e votuesve, veçanërisht të votuesve punëtorë të racave të ndryshme, të cilët janë larguar nga politika dhe e kanë humbur besimin te të dyja partitë. El-Sayedi po na tregon se si bëhet kjo, duke luftuar për politika që i vendosin njerëzit që punojnë në radhë të parë, si kujdesi shëndetësor për të gjithë [Medicare for All], shkolla publike të standardit më të lartë dhe luftimin e korrupsionit në politikë.
Ai do të përballet me një fushatë të vështirë përpara. Nëse zgjidhet, El-Sayedi do të jetë senatori i parë mysliman në histori. Tashmë e pamë islamofobinë të shfaqte fytyrën e saj të shëmtuar gjatë zgjedhjeve paraprake dhe mund të presim gjëra më të këqija nga republikanët në vazhdim.
Si një grua hebreje që u rrita në periferinë e Detroitit, jam dekurajuar veçanërisht kur kam parë se si keqinformimi është përdorur për të nxitur tensione mes komuniteteve tona. Për ne, këto nuk janë beteja retorike politike në një hartë kombëtare; ato janë personale. U rrita duke marrë pjesë në festimet e bar-micvave dhe bat-micvave të miqve të mi në [sinagogën] Temple Beth Israel. Edhe El-Sayedi. Siç u tha ai mbështetësve të tij: “antisemitizmi dhe islamofobia janë një dhe e njëjta gjë – dhe ne duhet t’i luftojmë ato”. Siguria jonë dhe e ardhmja jonë janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Disa votues mund të mos pajtohen me qëndrimin e El-Sayedit për Izraelin, përfshirë mbështetjen e tij për t’i dhënë fund ndihmës ushtarake dhe shitjes së armëve nga Shtetet e Bashkuara – pa kushte ndaj vendit. Edhe familja ime e gjerë në Miçigan ka zhvilluar debate të ashpra dhe ka arritur në përfundime shumë të ndryshme, duke pasqyruar mospajtimet që po zhvillohen në familje në mbarë Miçiganin dhe në të gjithë vendin. Për një gjë pajtohemi: domosdoshmërinë për të bërë gjithçka që është e mundur për ta mposhtur kërcënimin ekzistencial që paraqet MAGA.
Ndërkohë, MAGA e kupton fuqinë e koalicionit tonë, që do të thotë se do të punojë pa pushim për ta përçarë atë.
Pikërisht për këtë arsye Miçigani ka kaq shumë rëndësi. Ai është shndërruar në një nga laboratorët më të rëndësishëm politikë të vendit, duke u ofruar demokratëve mundësinë për të ndërtuar një koalicion të gjerë, të shumë racave, feve dhe brezave, që pasqyron premtimin e së ardhmes së vendit tonë. Mbajtja e këtij koalicioni të bashkuar kërkon organizim të vazhdueshëm dhe gatishmëri për të investuar edhe përmes mospajtimeve, në vend që të tërhiqesh prej tyre.
Por, nëse demokratët arrijnë ta ndërtojnë dhe ta ruajnë këtë koalicion në Miçigan, ata do të kenë një model për të garuar me sukses edhe në shtetet e tjera vendimtare.
Nëse nuk munden, pasojat do të shtrihen shumë përtej një gare të vetme për Senatin.
Miçigani është një shtet i pasur me organizatorë të sprovuar në beteja politike, nga Detroiti deri në Daglas, nga Marketi deri në Maunt Klemens. Së bashku ata po forcojnë pjesëmarrjen zgjedhore të votuesve punëtorë të racave të ndryshme, po luftojnë keqinformimin dhe po ndërtojnë infrastrukturë qytetare që u mundëson komuniteteve të ushtrojnë ndikim politik përtej një cikli të vetëm zgjedhor. Ne tashmë e kemi parë se çfarë janë në gjendje të arrijnë. Vitet e fundit, banorët e Miçiganit u bashkuan për të mbrojtur lirinë riprodhuese dhe për të rikthyer të drejtat e punëtorëve për negociata kolektive.
Investimi në organizimin e të rinjve në Miçigan është veçanërisht urgjent. Miçigani renditet ndër shtetet me ndikimin më të madh të votës së të rinjve në garat për Senatin, për guvernatorin dhe për Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara. Investimi në nisma të organizimit rinor, si For Michigan dhe Michigan FIRE Action, një projekt i Youth Civic Accelerator, mund të ndihmojë në rritjen edhe më të madhe të pjesëmarrjes në zgjedhje në nëntor, duke sjellë një brez të ri të rinjsh nga Miçigani në procesin politik.
Tani kemi një mundësi për ta shndërruar energjinë pas fitores së El-Sayed në një fuqi politike afatgjatë. Miçigani ka udhëheqësit dhe entuziazmin e nevojshëm për t’iu përgjigjur këtij momenti.
Demokratët në nivel kombëtar dhe donatorët duhet t’u japin atyre burimet e nevojshme për ta bërë këtë. /Telegrafi/

