Ekspertët e EULEX-it, po lëvizin drejt një zone të re.
Kjo meqë shiriti i sigurisë, u vendos edhe në një lokacion tjetër në Kalludër të Zubin Potokut.
Këtu tashmë janë pozicionuar veturat e autoriteteve kosovare.
Kështu kjo zonë, të mërkurën u bë lokacioni i tretë hetimor, nën dyshimet për një tjetër varrezë masive në këtë komunë.
E lokacioni i tretë në thellësi të Zubin Potokut, ndodhet mes Jabukës dhe Kalludrës së Vogël.
Në këto dy fshatra, ditë më parë është hasur në mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit.
Por për lokacionin e tretë, deri në mesditën e së mërkurës, Prokuroria Speciale e Kosovës, nuk ka dhënë detaje për rezultatin e hetimeve.
Nga PSRK, të martën vetëm i kanë konfirmuar hetimet për këtë lokacion.
“Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë. Prokurorja përgjegjëse ishte në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore. Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”, thuhet nga Prokuroria Speciale.
Ndryshe, deri më tani për këto raste, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

