Nga: Rob Hanna / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Kompanitë kanë shpenzuar miliarda duke garuar për të përvetësuar IA-në [inteligjencën artificiale]. Shumë prej tyre supozojnë se përparimi i ardhshëm varet prej modeleve më të mëdha, infrastrukturës më të shpejtë ose më shumë të dhënave [data]. Megjithatë, po e zgjidhin problemin e gabuar. Pengesa më e madhe për IA-në në ndërmarrje nuk është teknologjia. Është fakti se bizneset ende e trajtojnë dijen sikur të ishte thjesht një formë tjetër e të dhënave.
Ky supozim po i minon në heshtje strategjitë e IA-së në të gjitha industritë. Kompanitë po investojnë në sisteme gjithnjë e më të sofistikuara, ndërkohë që i furnizojnë ato me informacion që nuk është projektuar, sistemuar ose mirëmbajtur kurrë për të mbështetur vendimmarrjen inteligjente në një shkallë të gjerë. Modelet më të mëdha nuk mund ta kompensojnë dijen e pasigurt. Ato vetëm mund ta përpunojnë atë më shpejt.
Një bisedë e kohëve të fundit ma përforcoi këtë. Më kontaktoi drejtori ekzekutiv i një kompanie publike që ka rritje të shpejtë. Ekipi i tij po investonte me të madhe në futjen e të dhënave për zhvillimin e IA-së dhe donte të kuptonte se si organizatat mund ta përgatisnin informacionin për këto sisteme. Ishte një pyetje e rëndësishme, sepse pasqyron bisedën që po zhvillohet brenda kompanive kudo: sa informacion mund të lidhim, sa shpejt mund ta fusim në sistem dhe sa shpejt mund të nxjerrim vlerë të krijuar nga IA-ja?
Por, pyetja që fshihet nën këtë pyetje është ajo që shumica e kompanive po e shmangin: a e kupton, sistemon dhe beson vërtet organizata dijen që po ia jep IA-së?
Për vite me radhë, bizneset e kanë trajtuar sistemimin e të dhënave si një përparësi strategjike. Ato e dinë se të dhënat financiare kërkojnë mekanizma kontrolli. Të dhënat e klientëve kërkojnë masa sigurie. Të dhënat operacionale kërkojnë qëndrueshmëri. Këto praktika ekzistojnë sepse organizatat e kuptojnë se të dhënat e pasigurta hyrëse krijojnë rezultate të pasigurta.
Dija e shkruar rrallëherë ka marrë të njëjtin nivel analize. Ky është gabimi. Specifikimet e produkteve, artikujt e mbështetjes, procedurat e brendshme, materialet e trajnimit dhe dokumentacioni teknik shpesh ekzistojnë në sisteme të shumta me pronarë të ndryshëm, përditësime të paqëndrueshme dhe pa një burim të qartë autoriteti.
Ky dallim meriton shumë më tepër vëmendje sesa merr. Të dhënat hyjnë në sistemet e ndërmarrjeve përmes rregullave të rrepta të vlefshmërisë, fushave të përcaktuara, formateve të standardizuara dhe proceseve të menaxhuara me kujdes. Gjuha ndjek një rrugë krejtësisht tjetër. Dokumentacioni shkruhet prej ekipeve të ndryshme, rishikohet gjatë shumë viteve, kopjohet në depo të shumta dhe interpretohet në kontekste që shpesh ekzistojnë vetëm në mendjet e ekspertëve të fushës.
Kompanitë nuk dështojnë me IA-në sepse modelet janë të dobëta. Ato dështojnë sepse kanë kaluar dekada duke neglizhuar cilësinë e dijes nga e cila varen ato modele.
Një manual teknik, një artikull i mbështetjes së klientëve, një dokument i proceseve të brendshme dhe një plan rrugor i produktit e komunikojnë kuptimin në mënyra të ndryshme. Lexuesit njerëzorë i kuptojnë supozimet që fshihen mes rreshtave. IA-ja përpiqet t’i interpretojë po ato sinjale. Kur kjo përmbajtje është e paqëndrueshme ose sistemohet dobët, pasiguria përhapet në çdo përgjigje që gjeneron sistemi.
Provat sugjerojnë se kjo sfidë shtrihet shumë përtej shembujve të veçuar. Një raport i industrisë tregon se 23 përqind e organizatave ende nuk kanë asnjë strukturë formale për menaxhimin e dijes, ndërsa pothuajse gjysma mbështeten në modele hibride që kombinojnë qasje të centralizuara dhe të decentralizuara. Raporti përshkruan gjithashtu një peizazh të fragmentuar, të mbushur me depo të mbivendosura dhe sisteme të shkëputura të cilat e ndërlikojnë mënyrën se si dija krijohet, mirëmbahet dhe gjendet. Për drejtuesit që po investojnë shumë në IA për ndërmarrjet, kjo duhet të shërbejë si paralajmërim: dija e fragmentuar prodhon në mënyrë të pashmangshme inteligjencë të fragmentuar.
Jo çdo dije organizative meriton të trajtohet njësoj. Kompanitë duhet të identifikojnë dhe të veçojnë përmbajtjen me vlerë të lartë që përcakton vlerën e veçantë që ato sjellin në treg. Kjo është dija që duhet të bëhet themeli i IA-së: dokumentacioni i produkteve, udhëzuesit e përdoruesve, specifikimet, materialet e trajnimit, udhërrëfyesit e brendshëm, politikat dhe proceset. Kjo është infrastruktura mbi të cilën IA-ja juaj do të mbështetet për t’ju ndihmuar të drejtoni biznesin tuaj. Investoni aty së pari.
I njëjti model shfaqet edhe në përvetësimin më të gjerë të IA-së. Organizatat që po dalin përpara nuk po blejnë thjesht teknologji më të mirë. Ato po ndërtojnë disiplinat operative që e bëjnë IA-në të dobishme: qeverisje të qartë, përgjegjësi të përcaktuar, zbatim të koordinuar dhe gatishmëri të fuqisë punëtore. Agjentët e IA-së po dëshmohen shumë të efektshëm në automatizimin e flukseve të punës, megjithatë shumë organizata ende hasin vështirësi në koordinimin e vendimeve ndërmjet funksioneve të ndryshme.
Ky hendek është i parashikueshëm. IA-ja nuk mund t’i koordinojë vazhdimisht vendimet kur dija mbi të cilën mbështeten ato vendime është e paqëndrueshme. Automatizimi lëviz shpejt. Kuptimi organizativ kërkon përgjegjësi, disiplinë dhe besim.
Kam kaluar një pjesë të madhe të karrierës sime duke parë organizata që zgjidhin sfida gjithnjë e më komplekse të informacionit. Një mësim vazhdon të përsëritet në çdo cikël teknologjik. Bizneset rrallë vuajnë nga mungesa e informacionit. Ato vuajnë nga paaftësia për ta shndërruar ekspertizën në dije të qëndrueshme, që mbetet e besueshme edhe pasi eksperti është larguar nga dhoma. IA-ja nuk e ka krijuar këtë dobësi. Ajo e ka shpërfaqur.
Industritë me rregullim të lartë e kanë dëshmuar tashmë se ekziston një rrugë tjetër. Kompanitë farmaceutike, organizatat e shkencave të jetës, prodhuesit e hapësirës ajrore dhe sektorë të tjerë të rregulluar rëndë kanë kaluar vite duke ndërtuar zinxhirë të disiplinuar të furnizimit me përmbajtje, sepse pasojat e informacionit të pasaktë janë të menjëhershme dhe të rënda. Ato e dinë se ku e ka burimin informacioni kritik. Caktojnë përgjegjësi, vendosin cikle rishikimi dhe dokumentojnë miratimet. Për më tepër, ruajnë historikun e versioneve dhe e përditësojnë dijen ndërsa rregulloret, produktet dhe procedurat zhvillohen.
Asnjëra prej këtyre praktikave nuk lindi sepse e kërkonte IA-ja. Ato u bënë thelbësore sepse dija e besueshme u shndërrua në një kërkesë të biznesit. IA-ja për ndërmarrjet tani përballet pikërisht me të njëjtën kërkesë dhe çdo industri mund të përfitojë nga disiplinat që këto organizata i përsosën shumë kohë përpara se IA-ja gjeneruese të hynte në qendër të vëmendjes.
Shumë drejtues më thonë se strategjia e tyre për IA-në fillon me lidhjen e çdo depoje informacioni që zotërojnë. Përmbajtja e marketingut, artikujt e mbështetjes së klientëve, materialet e trajnimit, dokumentet e brendshme, burimet për partnerët dhe forumet e komunitetit bëhen që të gjitha kandidate për t’u futur në sistem, sepse më shumë informacion duket sikur do të thotë më shumë inteligjencë. Por, IA-ja nuk ka instinkt për politikën organizative, kontekstin historik apo kujtesën institucionale. Ajo nuk mund të përcaktojë se cili dokument i mbijetoi tri riorganizimeve, cila procedurë u bë e vjetruar gjashtë muaj më parë, ose cili version bie në kundërshtim në heshtje me një tjetër të botuar diku tjetër. Nëse çdo burim pretendon autoritet, IA-ja trashëgon çdo kundërshti të ngulitur brenda organizatës.
Pikërisht për këtë arsye, çdo nismë për IA-në në ndërmarrje duhet të fillojë me një pyetje të vetme: ku ndodhet dija autoritative? Çdo organizatë ka nevojë për një mjeshtri, një burim të besueshëm që përcakton produktet, shërbimet, politikat dhe procedurat në mënyrë të qëndrueshme. Pasi të ekzistojë ky themel, dija shtesë mund të përfshihet me qëllim përmes sistemimit, në vend që thjesht të grumbullohet.
Çdo kompani pyet nëse IA-ja e saj mund t’i besohet. Pak prej tyre pyesin nëse dija që e ushqen atë IA e meriton, në radhë të parë, këtë besim. Derisa ta bëjnë këtë, modelet më të mëdha nuk do ta zgjidhin problemin. Ato thjesht do të prodhojnë versione më të shpejta dhe më të sigurta të të njëjtit pështjellim organizativ. /Telegrafi/

