Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se Serbia po përdor komunat ku gëzon ndikim në Mal të Zi si pjesë të një operacioni strategjik në funksion të projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe”, me synim minimin e sovranitetit të Malit të Zi, pengimin e integrimit euroatlantik dhe shtimin e presionit ndaj Kosovës.
Në një analizë të publikuar me titull “Komunat në strategjinë e ‘Botës Serbe’”, Fetoshi thekson se, ndonëse deklaratat e komunave si Zeta dhe së fundmi Plevla për “çnjohjen” e Kosovës nuk kanë asnjë efekt juridik, ato shërbejnë si instrument propagandistik në kuadër të strategjisë hibride të Beogradit.
Sipas tij, udhëheqësi i kësaj nisme, Milan Knezheviq nga Partia Popullore Demokratike (DNP), e ka bërë të qartë synimin për të zgjeruar këtë iniciativë në sa më shumë komuna, në mënyrë që më pas deklaratat të shndërrohen në një rezolutë detyruese për Parlamentin e Malit të Zi.
Fetoshi argumenton se qëllimi nuk është të arrihet realisht tërheqja e njohjes së Kosovës, por të përdoret kjo çështje si temë mobilizuese për elektoratin proserb dhe për të minuar orientimin euroatlantik të Malit të Zi.
“‘Çnjohja’ e Kosovës në kuadër të këtij operacioni duket më shumë një temë mobilizuese, për shkak të ngarkesave simbolike të ‘tradhtisë’, ‘turpit’ dhe ‘padrejtësisë’, sepse minimi i përkatësisë euroatlantike të Malit të Zi do të ishte një fitore shumë e madhe për ‘Botën Serbe’”, shkruan ai.
Sipas analizës, strategjia ndjek modelin klasik të operacioneve hibride, ku fillimisht krijohen “fakte” në nivel lokal, të cilat më pas paraqiten si shprehje e vullnetit qytetar për të ushtruar presion mbi institucionet qendrore.
Ai vlerëson se deklarata të tilla, ndonëse juridikisht të pavlefshme, synojnë të krijojnë perceptimin se politika e jashtme e Podgoricës mund të sfidohet nga komunat, duke dobësuar kështu autoritetin e shtetit.
Fetoshi paralajmëron se kësaj strategjie i shtohen edhe forma të tjera të ndikimit hibrid përmes Kishës Ortodokse Serbe dhe Agjencisë serbe të Inteligjencës (BIA), me synim dobësimin e strukturave euroatlantike në Mal të Zi dhe krijimin e hapësirës për zgjerimin e ndikimit serb, rus dhe kinez në Ballkan.
Në analizën e tij, ai thekson se retorika e Milan Knezheviqit nuk është e drejtuar vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër sovranitetit të Malit të Zi, duke e paraqitur njohjen e Kosovës si një “tradhti” ndaj Serbisë.
Fetoshi shton se media publike serbe RTS dhe mediat e tjera pranë pushtetit në Beograd përdorin elemente të identitetit, historisë dhe fesë për të ndërtuar narrativën e “Botës Serbe”, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të identitetit kulturor të serbëve në Mal të Zi.
Sipas tij, përzierja e politikës së jashtme me çështjet identitare dhe fetare shërben për të nxitur polarizim, nacionalizëm dhe dezinformim, ndërsa deklaratat komunale nuk duhen nënvlerësuar vetëm pse nuk prodhojnë pasoja juridike.
“Nëse ato prodhojnë përçarje, forcojnë elektoratin proserb dhe shtojnë presionin ndaj qeverisë, një situatë e tillë mund ta rrisë ndikimin e Beogradit dhe ta pengojë integrimin evropian, duke sfiduar orientimin euroatlantik të Malit të Zi”, përfundon Fetoshi.
