By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Në zemrën e Zvicrës: 30 kilometra në këmbë – nga Luzerni në Sursee, gati 8 orë për të menduar, dëgjuar, lexuar
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Në zemrën e Zvicrës: 30 kilometra në këmbë – nga Luzerni në Sursee, gati 8 orë për të menduar, dëgjuar, lexuar
TOP Momenti

Në zemrën e Zvicrës: 30 kilometra në këmbë – nga Luzerni në Sursee, gati 8 orë për të menduar, dëgjuar, lexuar

Momenti
Published: July 9, 2026

Shënime nga ecjet në Zvicër (4).

Herët në mëngjes, kur sapo kishte nisur dita e shtunë, njëra nga të shtunat e vitit, arrita në Luzern. Natyrisht me tren. Me tren zviceran! Ata që i kanë lexuar tekstet e mia rregullisht e dinë arsyen pse po e nënvizoj: “tren zviceran”!

Your browser does not support the video tag.

Në stacionin e trenit nuk shiheshin shumë njerëz që do të dilnin për të ecur nëpër kodra, male e alpe zvicerane – ose të paktën kështu më dukej. Alpinistët bien në sy me veshje me ngjyra të ndezura. Dhe kjo ka një arsye: në rast rreziku dallohen nga larg falë ngjyrave, për shembull e kuqja sinjalizuese.

Në stacionin e trenit në Luzern shumica e miletit vraponte për të kapur trenin e radhës. Temperatura rreth zeros apo nën zero. Ishte vjeshtë e vonshme. Pasi bleva disa ushqime në një dyqan të stacionit, vazhdova rrugën përgjatë lumit Reuss.

Your browser does not support the video tag.

Promenada buzë lumit, shtëpitë në anën përballë, diga e vogël dhe natyrisht ura e famshme Kapellbrücke ia marrin njëra-tjetrës bukurinë. Ura u ndërtua në shekullin e 15-të si pjesë e fortifikimeve të qytetit. Një pjesë e madhe e saj u shkatërrua nga një zjarr në vitin 1993, por u rindërtua brenda tetë muajsh.

Nga larg shihej hoteli “Schweizerhof”, i cili më kujtoi një kohë të shkuar, para dy dekadave. Atëbotë qeveria zvicerane organizonte në këtë hotel takime mes politikanëve të Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisë dhe politikanëve serbë. Ishte një iniciativë e mbështetur nga një organizatë amerikane, ndërsa Zvicra e financonte. Politikanë të ndryshëm vinin këtu, kalonin mirë në hotelin e jashtëzakonshëm, edhe pse rezultate konkrete nuk dukeshin askund. Megjithatë, ishte një periudhë kur politikanë shqiptarë dhe serbë rrinin së bashku në një hapësirë të përbashkët, 4-5 vite pas luftës së Kosovës dhe 2-3 vite pas luftës në Maqedoni.

Më kujtohet njëri nga këshilltarët e kryeministrit të atëhershëm serb, Vojisllav Koshtunica, i cili e pyeti Arben Xhaferin:

“Zotëri Xhaferi, jeni mysliman apo katolik?”

Kjo pyetje tregonte dijen e kufizuar që një pjesë e elitave serbe kanë për shqiptarët – si për identitetin e tyre etnik ashtu dhe fetar. Në Prizren apo Gjakovë ndoshta mund të kishte njëfarë kuptimi të pyesje dikë nëse je katolik a mysliman, por për dikë nga Tetova ishte pyetje absurde. Shkuam te bari i hoteli me Arben Xhaferin dhe ia plasëm një të qeshure mbi këshilltarin injorant të Koshtunicës. “Nesër me siguri do të më pyes se pse di serbisht kaq mirë”, tha Arbën Xhaferi me ironi.

Në një nga ato samite shqiptaro-serbe në Luzern, ku merrnin pjesë edhe politikanë zviceranë si ministri i jashtëm Joseph Deiss, u shfaq edhe kryeministri i Shqipërisë së atëhershme, Fatos Nano. Ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Xhoana, me të cilën sapo ishte martuar. Për një moment, vëmendja e politikanëve ballkanikë u zhvendos krejtësisht nga çështjet politike; të gjithë u mblodhën rreth tavolinës ku u ul Nano me gruan, sepse dëshironin “ta shihnin nusen”.

Kaq sa i përket parave të taksapaguesve zviceranë të investuara për pajtimin shqiptaro-serb.

Pas këtyre mendimeve mëngjesore, vazhdova ecjen nëpër disa fshatra zvicerane. Terreni ishte i rrafshët, i këndshëm. Kalova pranë aeroportit ushtarak në Emmen, afër Luzernit, dhe më tej drejt qytezës së bukur Rothenburg, me shtëpitë e saj të vjetra, sheshe të rregulluara, rrugë të pastra dhe restorante me emra kafshësh: Luani, Demi, Kaprolli, e kështu me radhë. Vazhdova deri në Sempach, një vend me rëndësi të madhe historike, sepse këtu është zhvilluar një betejë shumë e rëndësishme në vitin e largët 1386, tre vite para Betejës në Gazimestan.

Beteja e Sempachut (9 korrik 1386) ishte një përleshje vendimtare midis Habsburgëve dhe Konfederatës së Zvicrës në rritje e konsolidim e sipër. Duka Leopoldi i III-të kërkonte të forconte kontrollin e tij mbi territoret midis Tirolit dhe tokave pranë Alpeve, por u përball me rezistencën e Luzernit dhe kantoneve aleate. Kur ushtria habsburgase marshoi drejt Sempachut, zviceranët u organizuan shpejt nën drejtimin e Petermann von Gundoldingen dhe arritën një fitore të qartë. Rrjedha e saktë e betejës mbetet e paqartë, pasi burimet primare janë të pakta; më vonë u krijua legjenda e Arnold Winkelriedit, i cili thuhet se u sakrifikua vullnetarisht dhe ndikoi në fitoren e zviceranëve.

Humbjet habsburgase ishin të rënda, përfshirë vdekjen e Leopoldit të III-të dhe shumë fisnikëve. Fitoret e Konfederatës së Zvicrës dobësuan ndikimin habsburgas dhe i lejuan qyteteve si Luzern, Bern dhe Solothurn të zgjerojnë territorin. Kujtimi i betejës mbetet i gjallë në Zvicër, një kishëz e ndërtuar pas përleshjes ende është atraksion jo vetëm turistik.

Rreth orës dy pasdite, në bregun e liqenit të Sempachut, u përballa me dilemën nëse duhet të ndalem këtu, të marrë autobusin dhe të kthehem në shtëpi. Ose të vazhdoj. Vendosa të eci deri në fund të shtegut të ditës, i cili filloi në Luzern dhe mbaron në Sursee – gjithsej 30 kilometra. Po, 30 kilometra!

Teksa e diktoj këtë tekst, jam afër Sursees, që do të thotë se pothuajse i kam përfunduar 30 kilometrat e parapara. Rruga ishte shumë e bukur, sidomos pjesa nga Sempach deri në Sursee, që kalon pranë liqenit, ku shihen shpendë të ndryshëm që pluskojnë në ujë ose fluturojnë mbi ujë.

Ecje të tilla të gjata, 7-8 orëshe, janë një mundësi e mirë për t’i telefonuar miqve të ndryshëm. Edhe sot i “shqetësova” disa nga rrethi im – për biseda të rëndësishme e të parëndësishme, thjeshtë për llafe (jo të kota).

Ndonjëherë, në raste të tilla, dëgjoj edhe libra. Në këtë udhëtim dëgjova një libër për pasionin që shkrimtari gjerman Thomas Mann kishte për detin. Është e pabesueshme sa shumë libra janë botuar në dekadat e fundit për familjen Mann. Gazeta gjermane “Die Zeit” madje e ka quajtur “familje mbretërore gjermane”. Britanikët kanë familjen e tyre mbretërore, Windsorët; gjermanët, pasi nuk kanë mbret, kanë familjen Mann – aristokratë nga rrethina e Hamburgut dhe me biografi jashtëzakonisht interesante, shkrimtarë të mëdhenj, figura tragjike që bëjnë vetëvrasje, homoseksualë (të hapur apo të fshehur, si Thomas Manni, patriarku i familjes). “Ne jemi një bashkësi e nderuar, por secili ka një dërrasë mangu”, vuri re Thomas Mann që në vitin 1942.

Përveç Thomas Mannit, edhe vëllai i tij, Heinrich Mann, ishte shkrimtar shumë i rëndësishëm. Është interesant fakti që Heinrich Mann dhe Albert Einstein kanë botuar së bashku një letër proteste në “New York Times”, pas vrasjes së albanologut Millan Shufllaj në Zagreb, më 1931, nga shërbimi sekret i Jugosllavisë së atëhershme.

Arrita të dëgjoj rreth 20-30 faqet e para të librit (ndërkohë edhe ky libër është lexuar). Është i mbushur me detaje të jetës së Mannit, të cilat pastaj i gjen të reflektuara në romanet e tij. Të gjitha këto biseda, telefonata, libra – nuk kanë lidhje me politikën ditore. Në fakt, dëgjimi i një libri të mirë, larg politikës, është një formë arratie nga çmenduria e politikës botërore, ku çdo ditë pritet të vendoset fati i Ukrainës, e cila po përballet me një ultimatum të ri për të dorëzuar dinjtetin dhe territorin.

Libri për Thomas Mannin që po dëgjoja përshkruan sesi familja Mann udhëtonte me tren nga Müncheni drejt Detit të Veriut. Buzë detit, Mann mban për dore vajzën Elisabeth dhe njërin nga tre djemtë e tij; vëmendje i kushton sidomos Elisabethës, e cila bën vazhdimisht pyetje, ndërsa Thomas Mann i përgjigjet me një elegancë të mrekullueshme e plot mirëkuptim.

Pastaj në radion publike gjermane dëgjova një kronikë interesante nga Singapori, ku qyteti planifikon të mbjellë mbi një milion pemë për të përballuar temperaturat gjithnjë e më të larta si pasojë e ndryshimeve klimatike. Dhe mendova: sa pemë janë mbjellë në Prishtinë në 25 vitet e fundit? Ndërsa llogaris ndërtimet e shumta, betonizimin, kaosin, rritjen e popullsisë, papastërtinë, kolonat e makinave që vijnë çdo ditë nga rrethina në kryeqytet, e kupton se qyteti ka ndryshuar shumë. Por si ka ndryshuar?

Kur largohem nga Prishtina, më pëlqen të udhëtoj me autobus; më duket si një ekspeditë sociale. Zakonisht, sheh studentë, të moshuar dhe ndonjë nënë me fëmijën e saj që kthehet nga ndonjë kontroll mjekësor në Prishtinë.

Gjendja në autobusë ka ndryshuar, kjo është përshtypja ime aspak reprezentative. Para 10 vitesh, autobusët të “terrorizonin” me muzikë të viteve 90-të – një përzierje tallavash, vajtimesh pseudo-patriotike dhe arabeskash të zhurmshme. Tani nuk ndodh më. Arsyeja është e qartë: të gjithë kanë telefona dhe kufje. Secili dëgjon çfarë të dojë – muzikë, podcast, libra. Me sa duket, edhe kompanitë e transportit e kanë kuptuar këtë. Nuk më ka rastisur prej vitesh të hip në autobus që lëshon muzikë nga ata televizorët e vegjël mbi kokën e shoferit. Por kjo mund të jetë, siç e thashë, një përshtypje imja. (8 orë janë të gjata, mendon njeriu për shumë gjëra, edhe për autobusët e Kosovës).

Në Sursee treni i orës 17:12 u nis në 17:12. /Telegrafi/

You Might Also Like

Nis gjykimi për sulmin në Ibër-Lepenc, Prokuroria paraqet prova nga ekspertiza e FBI-së
Nikollovski: Presim miliona euro nga taksat e shmangura të akcizës
Zyra e BE-së në Kosovë: Rriten dyshimet për rolin strategjik të Rusisë
Sekuestrohet sasi e madhe e drogës në bodrumin e një ndërtese në Komunën Aerodrom
​I mituri sulmon nënën e tij, e bën për spital

Quick Link

  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise

Top Categories

  • My Bookmarks
  • Customize Interests

You Might Also Like

Jehona Krasniqi-Morina në “Rrugëtimi” rrëfen për trajtimin çnjerëzor në Burgun e Lipjanit: Nuk kërkoj hakmarrje
TOP Momenti

Jehona Krasniqi-Morina në “Rrugëtimi” rrëfen për trajtimin çnjerëzor në Burgun e Lipjanit: Nuk kërkoj hakmarrje

July 9, 2026
Mucunski: Vendimet nga Samiti i Ankarasë do ta forcojnë Aleancën e NATO-s
TOP Momenti

Mucunski: Vendimet nga Samiti i Ankarasë do ta forcojnë Aleancën e NATO-s

July 9, 2026
Sekuestrohen shtatë trotinetë elektrikë në Prishtinë, drejtuesve u shqiptohen gjoba në vlerë prej 150 eurosh
TOP Momenti

Sekuestrohen shtatë trotinetë elektrikë në Prishtinë, drejtuesve u shqiptohen gjoba në vlerë prej 150 eurosh

July 9, 2026
​Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë
TOP Momenti

​Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë

July 9, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?