Avokati i Popullit ka reaguar pas raportimeve se gjatë një kontrolli në INK Burgu “Shkup” (Shutkë), disa të burgosur kanë pësuar lëndime si pasojë e ndërhyrjes së Njësisë për Intervenime të Policisë së Burgjeve.
Sipas njoftimit zyrtar, pas informacioneve të marra për incidentin, Avokati i Popullit ka dërguar sot një ekip nga Mekanizmi për Kontroll Civil për të kryer inspektim në burg dhe për të verifikuar rrethanat e ngjarjes.
“Avokati i Popullit, pas informacioneve të marra se gjatë një kontrolli të kryer nga Njësia për Intervenime e Policisë së Burgjeve, e cila është nën kompetencën e drejtpërdrejtë të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, në INK Burgu ‘Shkup’ janë lënduar disa persona, sot dërgoi një ekip nga Mekanizmi për Kontroll Civil me qëllim që të kryejë inspektim”, thuhet në reagim.
Nga institucioni bëjnë të ditur se pas mbledhjes së të gjitha fakteve dhe konstatimit të gjendjes faktike, opinioni publik do të informohet për rezultatet e inspektimit dhe gjetjet lidhur me rastin.

