Gruaja e dyshuar për vendosjen e një bombe në një pako në Monako, e cila plagosi një multimilioner ukrainas të sanksionuar dhe familjen e tij, është gjetur e vdekur, njoftoi Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU).
Pas sulmit ishte nisur një kërkim ndërkombëtar për Anastasiia Berezovskën, shtetase ukrainase, për të cilën autoritetet besonin se ishte larguar nga principata e Monakos pasi kishte vendosur bombën në hyrjen e një ndërtese banimi më 29 qershor, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Trupi i 39-vjeçares u gjet i varrosur në një pyll në rajonin e Kievit, me plagë nga armë zjarri në kokë, sipas SBU-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës.
Dy persona, mes tyre një zyrtar aktual i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, janë arrestuar nën dyshimin për vrasje.
Sipas SBU-së, Berezovska mbërriti në Ukrainë më 1 korrik, dy ditë pas sulmit në Monako.
Prokuroria ukrainase tha se dy të dyshuar e takuan atë me makinë në një autostradë në rajonin e Kievit dy ditë më vonë.
“Viktima udhëtoi një distancë të caktuar me ta, pas së cilës u vra”, thuhet në deklaratë.
SBU bëri të ditur se pas kthimit në Ukrainë, Berezovska kishte komunikuar me familjen e saj, si dhe me dy burra: një ish-zyrtar të zbatimit të ligjit dhe një oficer aktual të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas hetimeve, këta dy persona po hetoheshin si bashkëpunëtorë të mundshëm në sulmin në Monako, pasi dyshohet se i kishin transferuar vazhdimisht para në llogaritë e saj bankare dhe ato të kriptovalutave.
SBU tha se oficeri i inteligjencës e ka pranuar vrasjen e Berezovskës dhe ka deklaruar se e kreu atë së bashku me personin tjetër të dyshuar.
“Të dy të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e vrasjes me paramendim në bashkëkryerje”, thuhet në njoftim.
Hetimet po vazhdojnë me “ndihmën personale” të kreut të Drejtorisë së Inteligjencës, Oleh Ivashchenko.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e ish-zyrtarit të zbatimit të ligjit në rajonin e Kievit, autoritetet zbuluan edhe një dhomë në bodrum që, sipas SBU-së, i ngjante një “dhome torture”.
Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës deklaroi se nuk ka prova që kjo dhomë të ketë qenë e lidhur me rastin e Berezovskës, duke shtuar se ajo “thjesht pasqyron profilin e njërit prej të dyshuarve”.
Prokuroria publikoi edhe një video të dhomës, ku shihen një dyshek me njolla që duken si gjak, dy sëpata, një kazmë, një mbulesë plastike e shtrirë në dysheme dhe një çantë e madhe.

