Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke iu referuar raportit vjetor i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK) tha se çmimet po rriten shumë, ekonomia po rritet pak, ndërsa varësia nga importi po thellohet nga viti në vit.
Bajrami tha se edhe ‘’më shqetësuese’’ është se sipas parashikimit për vitin 2026, rritja ekonomike pritet të jetë 3.5%, ndërsa inflacioni pritet të shkojë në 6.7%.
“Me fjalë të tjera: ekonomia pritet të rritet më ngadalë, çmimet shumë më shpejt, shto kësaj faktin se Kosova po importon shumë e po eksporton shumë pak. Në vitin 2025, importi i mallrave ka arritur rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksporti vetëm rreth 869 milionë euro. Pra, kemi importuar rreth 8 herë më shumë sesa kemi eksportuar’’, shkruan Bajrami në faqen e saj në “Facebook”.
“Por edhe më shqetësues është parashikimi për vitin 2026, ku sipas BQK-së, rritja ekonomike pritet të jetë 3.5%, pra edhe më e ulët se në vitin 2025, ndërsa inflacioni pritet të shkojë në 6.7%. Me fjalë të tjera: ekonomia pritet të rritet më ngadalë, çmimet shumë më shpejt shto kësaj faktin se Kosova po importon shumë e po eksporton shumë pak. Në vitin 2025, importi i mallrave ka arritur rreth 7 miliardë euro, ndërsa eksporti vetëm rreth 869 milionë euro. Pra, kemi importuar rreth 8 herë më shumë sesa kemi eksportuar. Deficiti tregtar ka shkuar në rreth 6.1 miliardë euro, me rritje prej 12.5% krahasuar me vitin paraprak, më i larti në historinë e pasluftës ndërsa eksporti ka pësuar rënë lehtë për 0.2%, e importi është rritur për 10.6%. Pavarësisht gjuhës tejet të kujdesshme të raportit dhe interpretimeve të moderuara këto janë shifra që nuk ka mundësi me u masku. Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie që po mbahet nga konsumi, importi dhe remitencat – ekonomi që vuan nga inflacion i lartë, rritja ekonomike e pamjaftueshme, deficit tregtar në rritje, importi rekord dhe eksporti në rënie. Sipas BQK-së çmimi i energjisë elektrike është rritur për 11.5%, e kur rritet energjia, rritet kostoja për bizneset, rritet çmimi i produkteve dhe në fund krejt këto i paguan qytetari dhe kjo është kosto shumë e lartë se 100 Eurot që shpërndan Qeveria në kohë të zgjedhjeve. Kosovës i duhet politikë ekonomike që e kthen vëmendjen te prodhimi vendor, te eksporti, te ulja e kostos së energjisë për bizneset dhe te krijimi i vendeve të punës, sepse një ekonomi që importon 7 miliardë euro dhe eksporton më pak se 1 miliard euro, nuk është ekonomi e qëndrueshme – është ekonomi e varur”, shkroi ndër të tjera Hykmete Bajrami.

