Egjipti pritet të marrë në ditët në vijim një këst prej 1.5 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian, si pjesë e paketës së ndihmës makrofinanciare prej 5 miliardë eurosh. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, gjatë një konference për media të mbajtur në kryeqytetin e ri administrativ të vendit, së bashku me Komisioneren Evropiane për Mesdheun, Dubravka Suica.
Sipas Abdelattyt, 3 miliardë eurot e mbetura do të disbursohen në dy këste të barabarta prej nga 1.5 miliardë euro secili. Ai shprehu pritjen që pagesa e fundit të realizohet deri në fillim të vjeshtës.
Deri më tani, Bashkimi Evropian i ka transferuar Egjiptit gjithsej 2 miliardë euro nga kjo paketë, përkatësisht 1 miliard euro në janar të vitit 2025 dhe një tjetër këst prej 1 miliard eurosh në fillim të këtij viti.
Paketa e ndihmës makrofinanciare prej 5 miliardë eurosh është pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë financiare me vlerë 7.4 miliardë euro, të shpallur nga Bashkimi Evropian në vitin 2024, e cila përfshin gjithashtu kredi koncesionare për mbështetjen e ekonomisë egjiptiane.

