Shoqata e Miqësisë së Amerikës ka shënuar të shtunën 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një aktivitet festiv të organizuar pranë shtatores së ish-presidentit amerikan Bill Clinton në Prishtinë.
Aktiviteti, që sipas organizatorëve tashmë është bërë tradicional, këtë vit u zhvillua në një format të ri përmes ceremonisë së nderimit të flamurit amerikan.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të Gardës së Policisë së Kosovës, Njësisë Speciale Operative, Njësisë Intervenuese, Njësisë Speciale K9, zjarrfikësve dhe Qendrës së Mjekësisë Emergjente.
Me rastin e jubileut, Shoqata prezantoi edhe një foto-ekspozitë të veçantë me fotografi ekskluzive të vendosura në korniza dhe të shoqëruara me mesazhe dedikuese. Po ashtu, qytetarëve iu shpërndanë kartolina të plastifikuara të përgatitura posaçërisht për këtë përvjetor, me portretet e tre ish-presidentëve amerikanë, George H. Ë. Bush, Bill Clinton dhe George Ë. Bush.
Kryetari i Shoqatës Miqësisë së Amerikës, Agim Rexhepi falënderoi policinë, zjarrfikësit dhe FSK-në për bashkëpunimin, duke uruar të gjithë qytetarëve amerikan përvjetorin e pavarësisë.
“Në emrin e miliona qytetarëve shqiptarë që kanë respekt dhe dashuri për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ky vend, i urojmë 4 Korrikun, njëkohësisht ose këtë jubile të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shoqata e Miqësisë së Amerikës e ka këtë aktivitet, e kemi bërë në koordinim me këto institucione, mirëpo njëkohësisht duke informuar institucionet shumë të larta edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga këtu, fotografitë do t’i dërgojmë përfaqësuesve, liderëve shumë të lartë amerikanë”, tha ai.
Ai foli edhe për ekspozitën me fotografi e cila ishte paraqitur aty, duke thënë se kanë dashur tëdërgojnë mesazhe edhe me fotografi.
“Për nder të këtij jubileu e kemi krijuar një kartolinë me tre presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë shumë të mëdha, është e klasifikuar. Jo rastësisht e kemi bërë këtë kartolinë, sepse këto janë personalitetet që janë engjëjt mbrojtës të Kosovës, normalisht me senatorë e kongresistë e të tjerë. Mirëpo çka është e rëndësishmja? Falë presidentit Bush të vjetër që e vendosi vijën e kuqe, shpëtuam pa ndodhur Srebrenica në Kosovë. Falë presidentit Clinton, u intervenua në Kosovë nga forcat e NATO-s”, derisa lavdëroi edhe presidentin aktual amerikan, Trump.
Etem Ferizi, i cili jeton në Gjermani tash e 34 vjet, thotë se mos ishin Clinton, Blair, Hillary, Albright e të tjerët, shqiptarët nuk ishin askund.
“Emocione se ky njeri na ka pru lirinë. T’i thonë edhe UÇK-së, lavdi UÇK-së, po ky është me thënë me një fjalë tjetër, pak ta keqkuptojnë, zoti ynë. Ky është një njeri që s’duhet të harrohet kurrë, kurrë, kurrë populli i Kosovës, me Tony Blairin, me Hillaryn, me Albrightin… Këta duhet t’i dijë kjo rini, ky popull. 75 vjet i kam, se ditëlindja e popullit, e rinisë së Kosovës, e fëmijëve të Kosovës është, e ka emrin Bill Clinton, Hillary, Tony Blair e të gjithë ata që kanë kontribuar”, tha ai.
Jennifer Howard e cila ka ardhur nga Kalifornia, rastisi të jetë prezente në këtë festë, gjë që e bëri të ndihet mirë.
“Është e mrekullueshme. Erdhëm për të parë Kosovën sot, 4 Korrikun, dhe pastaj për të gjetur statujën e Bill Clinton dhe thjesht për të parë të gjithë këta njerëz që qëndrojnë përreth dhe festojnë. Më në fund më bën të ndihem pak krenare që jam amerikane tani, sepse me gjërat që po ndodhin në vendin tim, nuk jam gjithmonë aq krenare për atë që kemi bërë. Por fakti që ne në një farë mënyre e ndihmuam Kosovën dhe e kemi krijuar këtë vend tani, mendoj se është vërtet e veçantë të jem këtu. Pra, kur ndaluam dhe pamë të gjitha këto, isha shumë e emocionuar për të festuar pak Amerikën”, tha ajo.
Kurse, qytetari tjetër Ilir Dardania thotë se kanë ardhur për ta festuar datën e shpalljes së pavarësisë së shtetit ndërkombëtar, mikut të kombit shqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shteti ndërkombëtar, miku i kombit shqiptar, i cili nëse s’gaboj, na ka përkrahur, na ka ndihmuar për të fituar pra shtetin e dytë shqiptar, Republikën e Kosovës e cila ka kushtetutë laike”, tha ai.
Ilirida Ismaili Galabri, e cila është poete tha se aktivitete të tilla duhet të ketë më shumë.
“Po jashtëzakonisht mirë, kombi shqiptar e din kush është shpëtimtari i kombit shqiptar edhe i Kosovës, normal gjatë luftës, edhe për atë shqiptarët, të gjithë shqiptarët jo vetëm kosovarët, duhet me festu sot 250-vjetorin e pavarësisë së shtetit amerikan…ne duhet me u përkul për çdo ditë, për çdo ditë shtetit amerikan, i cili ka bërë gjithçka për kombin shqiptar, për Kosovën edhe është duke bërë edhe deri edhe tani, edhe tani në vazhdim”, tha ai. /KP/

