I riu që ishte raportuar i zhdukur pasi kishte hyrë në Liqenin e Batllavës të martën është gjetur pa shenja jete.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Vëllazërim Qerimi nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili bëri të ditur se trupi i pajetë i viktimës është lokalizuar gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit.
“E kanë gjetur viktimën pa shenja jete. Tani janë duke u marrë me procedurat e tjera”, ka deklaruar Qerimi.
Pas gjetjes së trupit, në vendin e ngjarjes po zhvillohen procedurat e parapara nga autoritetet kompetente, ndërsa rrethanat e plota të rastit pritet të sqarohen pas hetimeve.
Operacioni i kërkimit ishte zhvilluar nga ekipet e FSK-së dhe Policia e Kosovës. /Telegrafi/

