Arbër Ademi nga BDI në një konferencë për shtyp akuzoi VLEN-in se ka zhbërë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve. Ai theksoi se “VLEN kërkoi votën e shqiptarëve duke premtuar se do ta çonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në një nivel më të lartë. Premtuan se shqiptarët do të përfaqësoheshin me të paktën 31.5% në institucionet shtetërore. Sot, pas dy vitesh në pushtet, rezultati është diametralisht i kundërt. Premtuan avancim, sollën kthim prapa. Premtuan ndryshim, sollën zhgënjim. Premtuan revolucion politik, sollën regres politik”.
“Le t’i rikujtojmë faktet, një nga një. Që në javën e parë të formimit të kësaj qeverie pa legjitimitet etnik, u ndërmor goditja e parë ndaj përfaqësimit të shqiptarëve. Përmes ndryshimeve në metodologjinë e të punësuarve në sektorin publik, shqiptarët u zvogëluan statistikisht nga 29.5% në 24.3%. Ky ishte sinjali i parë se premtimet e VLEN-it nuk kishin asnjë lidhje me realitetin. Më pas erdhi goditja e dytë. Shfuqizimi i mekanizmit të Balancuesit nuk ishte një rastësi. Ai ishte premtim i VMRO-DPMNE-së në programin e saj parazgjedhor, më pas u përfshi edhe në Programin e Qeverisë, program të cilin VLEN e votoi dhe e mbështeti pa asnjë rezervë. Më pas, Gjykata Kushtetuese, si institucion që po vepron në funksion të agjendës politike të kësaj shumice, e shfuqizoi Balancuesin”.
“Pra, nuk kemi të bëjmë me një zhvillim të rastësishëm. Kemi të bëjmë me një plan politik të paralajmëruar, të miratuar dhe të realizuar hap pas hapi. Pas shfuqizimit të Balancuesit filloi menjëherë ajo që sot e shohim çdo ditë: përjashtimi institucional i shqiptarëve nga punësimet në administratën shtetërore. Qytetarët po shohin konkurse me zero shqiptarë të punësuar. Kjo është e vërteta. Nga premtimi për 31.5%, përfunduam te konkurse me 0% shqiptarë. Në vend që të rikthenin një mekanizëm më të fortë mbrojtës, VLEN solli një projektligj që nuk mbron përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Përkundrazi. Është një ligj i ndërtuar mbi konceptin që prej vitesh e promovon doktrina nacionaliste dhe Karakamisheva: cilësia, e jo etnia, respektivisht parimi i “cilësisë” në vend të përfaqësimit etnik, duke minuar një nga arritjet më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit”.
“Me këtë propozimligj nuk parashihen kuota etnike, sanksione juridike e as identifikimin e etnisë nga instizucionet për kandidatët. Nuk parashihen kurrfarë garancie. Prandaj ky propozimligj nuk e forcon përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, por e shkatërron atë. Ndërkohë, për të mbuluar këtë dështim, drejtuesit e VLEN-it pretendojnë se kanë realizuar 2.500 punësime dhe avancime. Pyetja është shumë e thjeshtë: Ku janë këto 2.500 punësime? Në cilat institucione? Në cilat konkurse? Sepse statistikat zyrtare nuk e mbështesin këtë pretendim”, tha Ademi.

