Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, pasi ekspozimi i zgjatur në vapë mund të ndikojë negativisht në shëndet, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të IKSHPK-së thuhet se për të reduktuar rrezikun nga temperaturat e ngritura gjatë qëndrimit në ambientet e hapura, IKSHPK rekomandon:
Të evitoni qëndrimin dhe aktivitetet fizike në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Të qëndroni sa më shumë në vende me hije ose në ambiente të freskëta.
Të mbroni kokën dhe fytyrën duke mbajtur kapelë.
Gjatë ekspozimit në diell, të përdorni syze dielli për mbrojtjen e syve.
Të mbroni lëkurën duke përdorur krem mbrojtës ndaj rrezeve të diellit.
Të pini ujë rregullisht gjatë gjithë ditës për të shmangur dehidratimin.
IKSHPK thekson se respektimi i këtyre rekomandimeve ndihmon në parandalimin e goditjes nga të nxehtit, dehidratimit dhe problemeve të tjera shëndetësore që mund të shkaktohen nga temperaturat e larta. /Telegrafi/

