Shtatë persona janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në magjistralen Gjakovë–Prizren, në fshatin Rogovë, ku janë përfshirë tri automjete.
Lajmin e ka konfirmuar për Dukagjinin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Ajo ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:40 dhe si pasojë e përplasjes, shtatë persona kanë pësuar lëndime trupore. Të lënduarit kanë marrë menjëherë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, e cila po merret me hetimin dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

