By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Nga primatët te klima – dhjetë dokumentarët më të mirë të David Attenboroughit
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Nga primatët te klima – dhjetë dokumentarët më të mirë të David Attenboroughit
Lajme

Nga primatët te klima – dhjetë dokumentarët më të mirë të David Attenboroughit

Momenti
SHARE
Nga primatët te klima – dhjetë dokumentarët më të mirë të David Attenboroughit

Programet historike të natyrës të Sir David Attenboroughit na kanë edukuar dhe frymëzuar për më shumë se shtatë dekada. Nga qëndrimi mes primatëve deri te paralajmërimet e hershme për klimën, këtu është një përzgjedhje e programeve të tij novatore – për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së tij.

Nga: Paul Glynn dhe Ian Youngs / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

1. Jeta në Tokë [Life on Earth, 1979]

– YouTube

Jeta në Tokë ishte përpjekja ambicioze dhe globale e Attenboroughit për të treguar historinë e jetës në një mënyrë që nuk ishte provuar kurrë më parë, “nga qelizat e para primitive deri te bimët dhe kafshët që jetojnë sot rreth nesh.”

E bëri Attenboroughin natyralistin më të shquar televiziv, si edhe si një figurë ikonike të kulturës britanike.

Sipas Dr. Jean-Baptiste Gouyonit, autor i librit Dokumentarët e jetës së egër të BBC-së në epokën e Attenboroughit [BBC Wildlife Documentaries in the Age of Attenborough], ai ishte “absolutisht revolucionar për kohën.”

“Ishte hera e parë që ata dërgonin kameramanë në të gjithë botën për të marrë pamje të sjelljes së kafshëve në habitatin e tyre natyror,” shpjegon ai. “Është seria e parë ku Attenborough flet drejtpërdrejt para kamerës [në terren], në vend që të jetë në studio dhe të komentojë pamjet. Jeta në Tokë është paraqitja e parë e David Attenboroughit në ekran si personazh dhe jo thjesht si prezantues. Në thelb, është e para herë për gjithçka.”

Në mënyrë të paharrueshme, episodi i parafundit e shfaqte Attenboroughin me një grup gorillash të maleve, gjë që ai më vonë e përshkroi si “një nga takimet më emocionuese të jetës sime.”

Seria, e nominuar për çmimin Bafta, u ndoq nga deri në 500 milionë njerëz në mbarë botën dhe vendosi modelin për atë që do të pasonte – me atë që do të njihej si Koleksioni i jetës [Life Collection], duke përfshirë Planetin e gjallë [The Living Planet], Jeta private e bimëve [The Private Life of Plants] dhe Jeta e zogjve [The Life of Birds].

Dhe, për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së tij, BBC-ja iu rikthye gjithashtu kësaj serie në një dokumentar të ri të quajtur Krijimi i jetës në Tokë: Aventura më e madhe e Attenboroughit [Making Life on Earth: Attenborough’s Greatest Adventure].

2. Sprovat e jetës [The Trials of Life, 1990]

– YouTube

Kjo seri synonte të kapte sjelljen e kafshëve nga lindja deri në vdekje, ndërsa producentët punonin ngushtë me shkencëtarët për të zbuluar histori dhe njohuri magjepsëse e befasuese.

“Për shembull, ata filmuan për herë të parë prova të shimpanzeve duke përdorur mjete,” thotë Dr. Gouyon.

Dokumentari gjithashtu xhiroi pamje tronditëse, por domethënëse, të shimpanzeve që bashkëpunonin për të kapur, vrarë dhe ngrënë në mënyrë brutale majmunët kolobusë. “Kjo ishte hera e parë për televizionin e jetës së egër dhe diçka që ishte debatuar në qarqet shkencore. Ata punuan vërtet me studiues të terrenit dhe filmuan sjellje që nuk ishin parë kurrë më parë në televizion.”

3. Planeti i kaltër [The Blue Planet, 2001]

– YouTube

Planeti i kaltër e shfaqte Sir Davidin duke eksploruar oqeanet e botës dhe shumë nga banorët e tyre misteriozë – nga përbindëshat e thellësive deri te balenat vrasëse që gjuajnë në grup duke sulmuar një këlysh balene gri.

Është përshkruar si seria e parë gjithëpërfshirëse mbi historinë natyrore të oqeaneve të botës, duke zbuluar larminë spektakolare të jetës nën det.

“Për herë të parë ishim në gjendje të ndanim përvojën jetësore të kafshëve detare, diçka që më parë vetëm mund ta imagjinonim, dhe ishim vërtet thellë në mes të saj,” thotë Dr. Gouyon. “Kjo është ajo që krijoi një ndikim kaq të madh.”

Planeti i kaltër II [Blue Planet II] pasoi në vitin 2017 dhe ndihmoi për të paralajmëruar botën për “krimin e hedhjes së plastikës në oqean, që mund të mbysë dhe helmojë krijesat, përfshirë edhe vetë ne”, tha Sir David për BBC News në vitin 2019.

4. Planeti Tokë [Planet Earth, 2006]

– YouTube

Kjo seri u filmua në 64 vende të ndryshme gjatë pesë vjetëve, duke shënuar larminë e jashtëzakonshme të botës natyrore.

Ajo u bë seria më e shtrenjtë e dokumentarëve natyrorë e porositur ndonjëherë nga BBC-ja dhe u mundësoi shikuesve të ndiqnin dramën e jetës së egër – si një betejë epike mes një ariu të uritur polar dhe një lope deti – në definicion të lartë [HD] për herë të parë.

Sipas Dr. Gouyonit, Planeti i kaltër dhe Planeti Tokë ringjallën dashurinë e publikut për dokumentarët e natyrës dhe kishin një shtrirje më kinematografike sesa pararendësit e tyre.

“Cilësia dhe përmasa e asaj që shfaqej ishte vërtet revolucionare te Planeti i kaltër dhe Planeti Tokë,” thotë ai.

Kjo u çua në një nivel tjetër me vazhdimet e tyre. Në vitin 2016, Planeti Tokë II [Planet Earth II] përfshinte momente interesante tensioni dhe drame, si gjarpërinjtë që ndiqnin iguanat e sapoçelura, dhe tërhoqi më shumë shikues të rinj sesa programi hit i ITV-së, Faktori Iks [The X Factor].

5. Planeti i ngrirë [Frozen Planet, 2011]

– YouTube

Planeti i ngrirë përqendrohej te jeta në rajonet e Arktikut dhe Antarktikut dhe theksonte se si ndryshimet klimatike po ndikonin mbi tokën dhe kafshët vendase të saj.

Ai tregonte pinguinë, foka dhe arinj polarë duke u përpjekur të përshtateshin me mjedisin e tyre që vazhdimisht ndryshonte në sfondin e akullnajave dhe vullkaneve arktike.

Një sekuencë që tregonte përpjekjen e dëshpëruar të një balene minke për t’u arratisur nga një grup balenash vrasëse, krijoi një imazh të paharrueshëm.

Për episodin e fundit, të titulluar Në akull të hollë [On Thin Ice], Sir Davidi u shfaq në ekran për të mbajtur një fjalim të zjarrtë mbi efektet – për njerëzit dhe jetën e egër – e tkurrjes së akullnajave dhe rritjes së temperaturave.

Një dekadë më vonë, vazhdimi i serisë shkoi në rajone të tjera, ku sjellja natyrore e filmuar në mënyrë mahnitëse ishte pothuajse po aq rrëqethëse sa temperaturat – nga shqiponjat e arta që hidhnin dhi mali nga shkëmbinjtë, deri te balenat më dinake vrasëse që bashkoheshin kundër fokave të pambrojtura.

Planeti i ngrirë II [Frozen Planet II] gjithashtu ishte pionier në përdorimin e dronëve të garave, të cilët kapën përvojën tmerruese të fluturimit poshtë një mali përkrah një orteku.

Dhe, 11 vjet pas serisë origjinale, ai dha një paralajmërim edhe më të zymtë mbi efektet e ndryshimeve klimatike.

6. Planeti ynë [Our Planet, 2019]

– YouTube

Në përshtatje me kohën, Sir Davidi mbërriti në Netflix në vitin 2019 me një seri prej tetë episodesh që shfaqte disa pamje karakteristike dhe mahnitëse, ndërsa trajtonte gjithashtu çështjen e mbrojtjes së natyrës. Dokumentari i parë natyror i gjigantit të transmetimit u realizua në bashkëpunim me Fondin Botëror për Natyrën [World Wildlife Fund – WWF].

“Është një rast interesant, sepse ishte dokumentari i parë i historisë natyrore i përkushtuar tërësisht ndaj trajtimit të ndryshimeve klimatike,” thotë Dr. Gouyon. “Përveç kësaj, cilësia kinematografike është e ngjashme me atë që mund të shihje te Planeti i kaltër dhe Planeti Tokë.”

Netflix-i tha se 100 milionë familje e ndoqën serinë – megjithëse ata në Spanjë dhe në Amerikën Latine dëgjuan narracionin e Penelope Cruzit ose Salma Hayekut në vend të Sir Davidit.

Në recensionin e tij, ish-redaktori i arteve i BBC-së, Will Gompertz, shkroi se Planeti ynë “na jep disa nga pamjet më të veçanta që mund të shihni ndonjëherë në televizion”. Ai përfundoi: “Është zëri i një njeriu i cili e di se nuk do të jetë këtu përgjithmonë, por që shpreson me gjithë pasionin e tij se planeti ynë do të jetë.”

7. Ishujt e egër [Wild Isles, 2023]

– YouTube

Sir Davidi na ka shfaqur pothuajse çdo cep të globit – por, ai nuk u përqendrua te vendi i tij deri kur ishte në mesin e të nëntëdhjetave.

Atëherë ai më në fund theu një marrëveshje të brendshme të BBC-së që, sipas tij, datonte që nga vitet ’50 të shekullit XX, për t’u përqendruar në vende të tjera. Por, ishujt britanikë kanë “peizazhe mahnitëse” dhe “drama të jashtëzakonshme shtazore dhe spektakle të jetës së egër që rivalizojnë çdo gjë që kam parë në udhëtimet e mia globale,” tha ai.

Takimet e paharrueshme në Ishujt e egër përfshinin një shqiponjë bishtbardhë që kapte në ajër një patë barnakël, diçka që nuk ishte filmuar më parë në Mbretërinë e Bashkuar; si edhe salmonë skocezë që hidheshin – të filmuar për herë të parë me dronë nënujorë; dhe bretkosat uperoleia tërësisht të gëlltitura nga shushunja djallëzore me pesë palë sy dhe tre radhë dhëmbësh.

Sir Davidi nuk ishte shumë i moshuar për të dalë në terren. Ai mori një varkë dhe përshkoi 87 shkallë të pjerrëta për të arritur te një koloni me zogj detesh në ishullin Skomer, pranë bregut perëndimor të Uellsit, ku iu desh të priste për dy orë që zogjtë të mbërrinin. (Ai shoqërohej nga një mjek dhe një defibrilator, në rast emergjence.)

Ai gjithashtu filmoi në majë të një shkëmbi në Dorset, pranë një rrjedhe me shtrat gëlqeror në Uiltshir dhe poshtë pemës së tij të preferuar – një lis 700-vjeçar në Parkun Riçmond të Londrës.

Në fillim të vitit 2026, Londra e egër [Wild London] e pa atë duke iu rikthyer anës së egër të kryeqytetit, përfshirë “emocionin e madh” të një takimi me disa dhelpra urbane.

8. Oqeani [Ocean, 2025]

– YouTube

Në maj të vitit 2025, Oqeani bëri që Sir Davidi të përballet edhe një herë me “kufirin e fundit” të njerëzimit.

“Pas pothuajse 100 vjetësh në këtë planet, tani e kuptoj se vendi më i rëndësishëm në Tokë nuk është në tokë, por në det,” tha ai.

Ai e përshkroi atë si një nga filmat më të rëndësishëm të karrierës së tij ndërsa hynte në vitin e 100-të të jetës dhe tha se besonte që filmi mund të luante një rol vendimtar në shpëtimin e biodiversitetit dhe mbrojtjen e planetit nga ndryshimet klimatike.

Dokumentari argumenton se oqeani është sistemi mbështetës i planetit dhe aleati më i madh i njerëzimit kundër katastrofës klimatike. Ai tregon se oqeanet e botës ndodhen në një pikë kthese.

“Nëse e shpëtojmë detin,” thotë Sir Davidi në trailerin e filmit, “ne shpëtojmë botën tonë.”

9. Kopshti sekret [Secret Garden, 2026]

– YouTube

Sir Davidi ishte sërish pranë shtëpisë për këtë seri, e cila zbulonte aktivitetin e vrullshëm që mund t’i bëjë kopshtet britanike po aq magjepsëse sa vendet më të egra dhe ekzotike.

Ajo tregonte disa nga dramat e jetës dhe vdekjes që shpesh ndodhin pa u vënë re nga ne, nga një rosë që mbronte zogjtë e saj nga një vidër e uritur në Oksfordshir e deri te një zogth nën kërcënimin e një grabitqari të egër – një maceje të quajtur z. Flafi [Mr Fluffy] – në Bristol.

Sir Davidi gjithashtu theksoi përfitimet nga ajo se si mund të krijohet një hapësirë për jetën e egër, nga iriqët deri te tritonët në kopshtet e zakonshme.

Producenti i serisë, Bill Markham, ka thënë: “Në një kohë kur kopshtaria në mbështetje të jetës së egër po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për mbështetjen e specieve në vështirësi, zëri i tij ka një peshë të veçantë. Nëse Kopshti sekret arrin t’i nxisë njerëzit të rimendojnë se çfarë mund të jenë kopshtet e tyre, kjo në një masë të madhe do të jetë falë ndikimit të tij dhe besueshmërisë së tij të qëndrueshme.”

10. Historia e gorillës [Gorilla Story, 2026]

– YouTube

Sir Davidi nuk ka treguar asnjë shenjë të uljes së ritmit të punës dhe, ndërsa afrohej 100-vjetori i tij, ai iu rikthye takimit më të famshëm të karrierës së tij të gjatë – me gorillat që kishte takuar në vitet ‘70 të shekullit XX në Jeta në Tokë.

Ai nuk u kthye në Ruandë për të kaluar sërish kohë me to, por rrëfeu historinë e asaj që ndodhi me grupin origjinal – përfshirë mikun e tij të vogël Pablo – si edhe përpjekjet për mbijetesë dhe epërsi mes pasardhësve të tyre.

Filmi 77-minutësh i Netflix-it ka për regjisor fituesin e çmimit Oscar, James Reed, dhe Leonardo DiCaprion si producent ekzekutiv.

Recensioni me pesë yje i ditores The Guardian thoshte se shikuesit “do ta gjejnë veten të pushtuar nga mahnitja”. /Telegrafi/

You Might Also Like

VMRO-DPMNE: Filipçe “po e josh” Bullgarinë me ndryshimet kushtetuese
Lazio – Inter, formacionet zyrtare
Abdixhiku: Garojmë në një listë me Osmanin dhe garojmë për kryeministër e president
Muaji prill në rajonin e Ferizajt: 141 aksidente me 82 të lënduar, rreth 6 mijë gjoba të shqiptuara
Proces gjyqësor në Zvicër, një çift serb dhe 40 gra të skllavëruara si pastruese
Share This Article
Facebook Email Print

Follow US

Find US on Social Medias
FacebookLike
XFollow
YoutubeSubscribe
TelegramFollow

Weekly Newsletter

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!
[mc4wp_form]
Popular News

Ndërruesit e shpejtësisë me dy friksione – sa zgjasin dhe si mund t’ua shkurtoni vetë jetën e tyre?!

Momenti
Momenti
May 9, 2026
SHBA sanksionon kompani kineze për lidhje me Iranin para takimit Trump-Xi
Gjashtë të zhdukur pas sulmeve amerikane pranë Hormuzit, pretendon Irani
KOMF alarmon për rastet me fruth, bën thirrje urgjente për vaksinim
Putin në paradën e ‘Ditës së Fitores’: Ukraina po mbështetet nga i gjithë blloku i NATO-s
- Advertisement -
Ad imageAd image
Global Coronavirus Cases

Confirmed

0

Death

0

More Information:Covid-19 Statistics

Categories

  • ES Money
  • U.K News
  • The Escapist
  • Insider
  • Science
  • Technology
  • LifeStyle
  • Marketing

About US

We influence 20 million users and is the number one business and technology news network on the planet.
Quick Link
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise

Subscribe US

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

[mc4wp_form]
© Foxiz News Network. Ruby Design Company. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?