Gstaad është një qytezë në Malësinë e Bernit, e njohur si vend me vila pasanikësh dhe si destinacion turistësh. Ata vijnë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre ka edhe politikanë nga Ballkani. Duan të shijojnë pak luksin në alpet e Zvicrës. Sa prej tyre e bëjnë këtë me paratë e tyre, mbetet e paqartë.
Aktualisht për Gstaad-in po flitet në Zvicër në një kontekst tjetër: për anën e errët të luksit. Në këtë resort ekskluziv dyshohet se janë shfrytëzuar për vite me radhë në kushte çnjerëzore pune dhjetëra gra nga Serbia.
Javën e ardhshme, në gjykatën rajonale të qytetin e Thun-it nis procesi gjyqësor ndaj një familjeje serbe – burrë, grua dhe vajza e tyre – të akuzuar për organizimin e një sistemi të skllavërisë moderne në zemër të një prej destinacioneve më luksoze të Evropës.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga gazeta zvicerane “Tages-Anzeiger”, rreth 40 gra serbe, të moshës nga 29 deri në 53 vjeç, janë sjellë në Zvicër me premtime për punë të rregullt, kushte dinjitoze jetese dhe pagë mujore prej 1500 frangash zvicerane. Atyre u ishte thënë se do të kishin ushqim, akomodim dhe orar normal pune. Por, realiteti që i priste në Gstaad rezultoi krejtësisht ndryshe.
Sipas hetimeve të autoriteteve zvicerane, gratë detyroheshin të punonin deri në 16 orë në ditë, shtatë ditë të javës, pa pushime dhe nën kontroll të vazhdueshëm. Ato angazhoheshin si pastruese dhe staf ndihmës në vila luksoze, shtëpiza private dhe hotele elitare të resortit ku qëndrojnë miliarderë, biznesmenë dhe figura të njohura ndërkombëtare.
Dëshmitë e publikuara nga mediat zvicerane flasin për kushte alarmante. Shumë prej grave jetonin të izoluara dhe nuk lejoheshin të dilnin jashtë apo të komunikonin me njerëz të tjerë. Disa prej tyre, sipas raportimeve, urdhëroheshin të pastronin dritaret dhe ballkonet vetëm para lindjes së diellit, në mënyrë që të mos shiheshin nga fqinjët apo turistët.
Gjatë ditës nuk u lejohej as të dilnin në ballkon. Hetuesit dyshojnë se pasaportat u merreshin menjëherë sapo mbërrinin në Zvicër, ndërsa gratë kërcënoheshin se nuk do të paguheshin nëse largoheshin para përfundimit të kontratave tremujore.
Familja serbe, sipas prokurorisë, operonte si një agjenci ndërmjetësuese që siguronte staf për pronarë vilash luksoze, hotele dhe kompani patundshmërie në zonën e Gstaad-it. Tashmë në Zvicër po diskutohet gjerësisht se sa dijeni kishin klientët për kushtet në të cilat punonin këto gra dhe nëse emra të njohur nga elita ekonomike botërore do të përmenden gjatë procesit gjyqësor tetëditor.
Prokuroria e Bernit ka ngritur ndaj të akuzuarve një seri akuzash të rënda, përfshirë trafikim qeniesh njerëzore, zhvatje, detyrim, kërcënim, lëndim trupor, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim tatimor.
Vendimi i gjykatës pritet të shpallet më 16 qershor. /Telegrafi/



