Në ditën e 23-të të protestave kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit, në jug të Shqipërisë, protestuesit bënë publike pesë kërkesa të martën, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Kërkesat u lexuan para ndërtesës së Kryeministrisë në Tiranë nga Dritan Goxhaj, i cili në Shqipëri njihet si ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Por, pas shpalljes së kërkesave, kryeministri Rama, ministra dhe deputetë të Partisë Socialiste në pushtet, nuk reaguan drejtpërdrejt ndaj përmbajtjes së tyre. Ata u përqendruan te Goxhaj, të cilin Rama e cilësoi si “zëdhënës të interesave të Iranit”.
Rama publikoi në Facebook pjesë nga postime të një llogarie që mban emrin dhe fotografinë e Dritan Goxhajt.
Llogaria duket të jetë aktive: postimi i fundit publik, më 14 qershor, lidhet me protestën, dhe në të bëhet thirrje për dorëheqjen e Qeverisë, largimin e klasës politike dhe krijimin e një Asambleje Kombëtare Tranzicioni. Profili është etiketuar edhe në fotografi nga paraqitje televizive të Goxhajt si i ftuar.
Në të njëjtën llogari janë publikuar edhe postime të tjera me qëndrime të ashpra kundër politikave të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Lindjen e Mesme, si dhe me tone mbështetëse ndaj Iranit dhe Hezbollahut, të cilin një postim e përshkruan si “rezistencë të armatosur”.
Hezbollah është grup militant dhe parti politike që kontrollon një pjesë të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë (REL), Goxhaj tha se nuk ka parë çfarë ka postuar Rama për të, sepse “nuk kam llogari në rrjete sociale”.
REL-i nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur nëse llogaria administrohet prej tij. Megjithatë, qëndrime të ngjashme sikurse në këtë llogari për SHBA-në, Iranin dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, Goxhaj i ka shprehur edhe në paraqitje televizive.
Luçiana Kokaj, pjesë e grupit nismëtar të protestës në Tiranë, tha për REL-in se qëndrimet e Goxhajt janë “personale” dhe se ato nuk e përfaqësojnë grupin që organizon protestën kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe kundër Qeverisë Rama.
Ajo tha se Goxhaj u zgjodh për t’i lexuar kërkesat në shesh, edhe pse nuk është pjesë e grupit organizator, për të shmangur faktorizimin e ndonjërit prej organizatorëve.
“Ne iu drejtuam dy-tre personave jashtë grupit nismëtar për t’i lexuar kërkesat, për ta shmangur faktorizimin e secilit prej nesh që organizon protestën. Pasi nuk pranuan, ia kërkuam Dritan Goxhajt, sepse e kemi parë se e mbështet protestën dhe sepse përfaqëson një atdhetar dhe patriot, pasi ka dhënë kontributin e tij në luftën e Kosovës”, tha Kokaj.

Goxhaj dhe UÇK-ja
Dritan Goxhaj ka pretenduar në intervista televizive se gjatë luftës së Kosovës ka pasur “autorizim” nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për të mbajtur kontakte me komandën e forcave amerikane të vendosura në Shqipëri, të cilat vepronin në kuadër të operacioneve të NATO-s në rajon.
Kryeministri Rama postoi në rrjetet sociale një dokument të qeverisë së përkohshme të Kosovës të vitit 1999, pa vulë dhe vetëm me firmë, sipas të cilit, Goxhaj nuk ka marrë pjesë në luftën çlirimtare të Kosovës.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë tha për REL-in se Dritan Goxhaj nuk gëzon statusin e veteranit të luftës të lëshuar prej kësaj organizate dhe as nuk rezulton në databazën e anëtarëve të saj.
Goxhaj, ndërkaq, tha për REL-in se ka statusin e veteranit të UÇK-së dhe paraqiti një dokument që mban vulën e Ministrisë së Mbrojtjes së qeverisë së përkohshme të Kosovës të vitit 1999 dhe firmën e ministrit të atëhershëm, Azem Syla.
Në korrik të vitit 2023, Goxhaj u arrestua në Tiranë nga autoritetet shqiptare me urdhër të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Prokuroria Speciale e akuzoi atë për veprat penale të “frikësimit gjatë procedurës penale” dhe “pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Tre muaj më vonë, Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin e shkallës së parë dhe refuzoi ekstradimin e tij në Hagë. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.
Goxhaj ka punuar për disa vite si specialist i sigurisë ajrore pranë Autoritetit të Aviacionit Civil në Shqipëri.
Ai u pushua nga puna në vitin 2017 për “shkelje të etikës zyrtare”, pasi kishte publikuar një shkrim kritik për Aviacionin Civil, të titulluar “Aviacioni civil si bahçe private”. Në atë shkrim, ai kishte ngritur akuza edhe ndaj Belinda Ballukut, e cila në atë kohë mbante postin e drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë së Trafikut Ajror në Shqipëri.
Ndërkohë, kryeministri Rama i ka paraqitur protesta e tanishme kundër Qeverisë së tij dhe ndërtimit të resortit në Zvërnec jo si revoltë spontane qytetare, por si të nxitur nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe nga dezinformimi.
Ai ka folur për “luftë hibride”, duke përmendur fillimisht ndikime nga Greqia dhe Irani, më pas propagandë të shpërndarë nga blogerë dhe rrjete sociale, si edhe pjesëmarrje të personave nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Më 20 qershor, Rama tha se vëmendja ndërkombëtare për Zvërnecin nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me përfshirjen në projekt të Jared Kushnerit dhe lidhjen e tij familjare me presidentin amerikan, Donald Trump.
Gjatë protestës më 21 qershor, një vajzë e hoqi flamurin izraelit në Ambasadën e Izraelit në Tiranë dhe e grisi atë gjatë kohës kur protestues të shumtë po marshonin në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë.
Ky veprim u dënua nga institucionet shtetërore dhe politikanët vendas si dhe Ambasada izraelite në Tiranë.
Protestat në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera të Shqipërisë kundër punimeve për një resort në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe hetimeve për pronësinë e tokës – kanë hyrë në ditën e 24-të.
Prokuroria e Posaçme është duke kryer hetime në lidhje me kontratat e shitjes së tokës, ku do të realizohet ky projekt.
Sipas të dhënave zyrtare, zona në Zvërnec figuron në pronësi të kompanisë Albania Land Development, e regjistruar më 27 maj 2025 në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Ndërkaq, të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat. /REL

