Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesat e kandidatëve për deputetë të PDK-së, Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut, lidhur me procesin e rinumërimit të votave. Sipas panelit, gabimet e evidentuara nuk i kanë dëmtuar kandidatët, ndërsa të dy kanë paralajmëruar ankimim në Gjykatën Supreme.
Ankesën e dorëzoi, e pas tri ditësh e pranoi edhe epilogun e saj.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e hodhi poshtë si të pabazuar pretendimin e kandidatit të PDK-së për deputet, Qëndrim Kryeziu, se gjatë procesit të rinumërimit nuk i janë regjistruar të gjitha votat.
Në ankesën e tij, Kryeziu argumentonte se rinumërimi i 185 kutive të votimit kishte zbuluar një diferencë prej rreth 600 votash në dëm të tij.
Por vendimi i 22 qershorit i PZAP-së, tregon një pasqyrë tjetër.
Sipas Panelit, gabimet e evidentuara gjatë numërimit fillestar, përkundrazi kanë rezultuar në favor të tij.
Qëndrim Kryeziu, kandidat për deputet i PDK-së deklaroi se “Ne kemi qenë duke i shiku votat online në faqen e KQZ-së, ku me janë shtuar votat. Kam me qindra njerëz që më kanë votu dhe më shkruajnë se votat ku më kanë votu nuk janë dhe mi tregojnë me foto. Kështu unë kërkoj rinumërim të plotë të votave”.
Ankesë në PZAP ka paraqitur edhe Bekim Haxhiu.
Që të dy kandidatët pritet që t’i drejtohen Gjykatë Supreme.
Qëndrim Kryeziu, kandidat për deputet i PDK-së tha se
“Sipas PZAP-së, thuhet që është ndryshe, kinse këta mi kanë hek dy vota, po nuk është e vërtetë. Ne do t’i drejtohem Gjykatës Supreme, do ta shfrytëzojmë afatin 48 orësh dhe do ta qojmë këtë punë deri në fund”.
Derisa ankesat shqyrtohen, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se mbetet në pritje të vendimeve përfundimtare të institucioneve kompetente.
Vetëm pas përmbylljes së këtij procesi do të hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës./Tv Dukagjini/
– YouTube youtu.be
