Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha sot në një konferencë për media në Bruksel se situata e sigurisë në Kosovë vitet e fundit është përmirësuar dhe në të ardhmen misioni i NATO-s, KFOR-i, do të ketë deri në 3.500 trupa.
Shefi i NATO-s tha se KFOR-i do të vazhdojë të jetë i fokusuar në misionin e tij, por sipas tij, ky ndryshim vjen pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
“…Në këtë moment, ju e shihni që KFOR-i ka rreth 4.700 ushtarë. Ajo çfarë do të bëjmë është që do të kthehemi në nivelet e para vitit 2023. Sigurisht, varësisht nga rrethanat, do të shihni një KFOR me 3.000 deri në 3.500 trupa. KFOR-i do të vazhdojë të jetë i fokusuar në misionin e tij thelbësor”, tha Rutte në një paraqitje para gazetarëve.
Ndryshe, ditë më parë NATO përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet gjatë viteve të fundit, duke bërë që NATO të nisë optimizimin.
NATO njoftoi se në janar ka ndërprerë dislokimin e forcave rezervë në kuadër të KFOR-it, pas më shumë se dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm.
“NATO dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, ishte shprehur gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus G. Grynkewich, Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë.
Ai ka shtuar se kushtet aktuale krijojnë mundësi për optimizimin e mëtejshëm të madhësisë dhe pranisë së KFOR-it.
Gjenerali Grynkewich ritheksoi gjithashtu përkushtimin e fuqishëm të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, siguria e të cilit është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë në hapësirën euro-atlantike. Ai shtoi se NATO nuk do të lejojë krijimin e një vakumi të sigurisë.
Optimizimi, i njoftuar në vitin kur misioni shënon 27-vjetorin e tij, po zbatohet në kuadër të autorizimeve ekzistuese të SACEUR-it dhe pason një rishikim të detajuar dhe një vlerësim të situatës së sigurisë të bazuar në informacione të inteligjencës. /Telegrafi/

