Zvonko Veselinoviq largohet nga Serbia dhe mbërrin në Turqi

Zvonko Veselinoviq largohet nga Serbia dhe mbërrin në Turqi

Zvonko Veselinoviq largohet nga Serbia dhe mbërrin në Turqi

Largimi i tij drejt Turqisë lidhet me arrestimet e shumta të biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me strukturat e ish-pushtetit në Serbi, të cilat filluan pas humbjes së Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, të mbajtura më 25 tetor.

KORRESPONDENCAT SKY DHE LIDHJET ME SHTETIN

Sponsor 3M Express

Emri i Zvonko Veselinoviqit prej vitesh shfaqet në raportet e shërbimeve të sigurisë, dokumentet ndërkombëtare të sanksioneve dhe hulumtimet gazetareske mbi lidhjet ndërmjet strukturave kriminale, politikës dhe kontratave shtetërore.

Hulumtimi i KRIK-ut, i bazuar në mesazhet nga aplikacioni SKY, tregon për ndikimin e Veselinoviqit në strukturat politike dhe të sigurisë në Serbi, si dhe mënyrën se si kompanitë e lidhura me të siguronin kontrata fitimprurëse shtetërore.

Në këto komunikime përmendet edhe afërsia e tij me Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas përmbajtjes së mesazheve të publikuara nga KRIK-u, Veselinoviq kishte mundësi të ndikonte në emërimet e kuadrove në polici. Kështu, në vitin 2020, siç thuhet në komunikime, ai kishte kundërshtuar emërimin e Veselin Miliqit, atëherë shef i Drejtorisë së Policisë Kriminale, në postin e drejtorit të Policisë.

Në mesazhe thuhet se Veselinoviq, përmes Andrej Vuçiqit, kishte përcjellë mesazhin se nuk do ta ndihmonte më Partinë Përparimtare Serbe nëse Miliqi do të emërohej në atë pozitë.

Miliqi po gjykohet për mosraportimin e një vrasjeje në restorantin “27”, në lagjen Senjak të Beogradit.

Komunikimet në SKY kanë nxjerrë në pah edhe interesat biznesore të Veselinoviqit, kompania ndërtimore e të cilit, Inkop, ka marrë pjesë në projekte të mëdha infrastrukturore në Serbi, ndërsa kontratat e lidhura me këto kompani kapnin vlerën e miliona eurove.

“Vëlla, a e di sa miliona po merr. E prapë i duken pak”, është një nga mesazhet që një pjesëtar i një grupi kriminal rival ka dërguar duke folur për Veselinoviqin.

NË “LISTËN E ZEZË” TË SHBA-SË DHE BRITANISË SË MADHE

Departamenti Amerikan i Thesarit e vendosi Veselinoviqin në listën e personave të sanksionuar në dhjetor të vitit 2021, duke e cilësuar si udhëheqës të një grupi të organizuar kriminal, të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe tregti të paligjshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Sipas arsyetimit të autoriteteve amerikane, grupi vepronte përmes lidhjeve me zyrtarë të caktuar të sigurisë dhe politikanë, ndërsa merrej me kontrabandimin e mallrave, parave, drogës dhe armëve.

Në dhjetor të vitit 2022, sanksione ndaj Veselinoviqit vendosi edhe Britania e Madhe, duke theksuar se ai kishte përfituar financiarisht nga korrupsioni, përkatësisht nga dhënia e kontratave publike kompanive të tij në mënyrë të parregullt.

Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare, kompanitë e lidhura me të vazhduan të merrnin pjesë në projekte infrastrukturore në Serbi, për çka kishte raportuar më herët edhe Radio Evropa e Lirë.

VRASJA E OLIVER IVANOVIQIT

Emri i Veselinoviqit është përmendur edhe në hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili u vra më 16 janar 2018 në Mitrovicën e Veriut.

Prokuroria e Kosovës e kishte lidhur Veselinoviqin dhe kumbarën e tij, Milan Radoiçiqin, me këtë rast, duke i përmendur në kontekstin e organizatorëve të dyshuar të një grupi kriminal.

Megjithatë, ndaj Veselinoviqit nuk është ngritur aktakuzë në këtë rast. Radio Evropa e Lirë kishte raportuar më herët se emrat e tij dhe të Radoiçiqit ishin përmendur në pretendimet e Prokurorisë, por ndaj tyre nuk ishte iniciuar procedurë përmes aktakuzës.

BOTA E NËNDHESHME E BALLKANIT

Spekulohet se largimi i Veselinoviqit drejt Stambollit nuk është i rastësishëm, duke qenë se në Turqi kanë gjetur strehim disa pjesëtarë të klaneve kriminale ballkanike. Kështu, për një periudhë në këtë vend ishte fshehur edhe Jovan Vukotiq, një nga udhëheqësit e klanit Shkaljari, i cili u vra në Stamboll në vitin 2022.

Megjithatë, deri më tani nuk ka informacione publike që do të tregonin arsyen e largimit të Veselinoviqit drejt Stambollit, e as konfirmim se bëhet fjalë për arratisje nga ndonjë procedurë e mundshme e organeve kompetente.

Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon temat nga rajoni.

 

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Tahiri: Kosova ka mbetur pa agjendë të qartë evropiane, rrezikojmë të humbim edhe 131 milionë euro të tjera

Tahiri: Kosova ka mbetur pa agjendë të qartë evropiane, rrezikojmë të humbim edhe 131 milionë euro të tjera

“Alergji këtu, intolerancë atje” – Pronari i një restoranti në Zvicër ankohet: Të drejtosh një lokal është bërë ferr

“Alergji këtu, intolerancë atje” – Pronari i një restoranti në Zvicër ankohet: Të drejtosh një lokal është bërë ferr

Vendimi i Inspektoratit të Arsimit nuk e ndali kopshtin “DUA” në Fushë Kosovë: aktivitetet me fëmijët vazhduan edhe pas vendimit

Vendimi i Inspektoratit të Arsimit nuk e ndali kopshtin “DUA” në Fushë Kosovë: aktivitetet me fëmijët vazhduan edhe pas vendimit