Mali i Zi mund të bëhet vendi i radhës që do t’i bashkohet Bashkimit Evropian, me synimin që anëtarësimi të realizohet në vitin 2028.

Ndërkohë, Shqipëria synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, kurse Kosova vazhdon të mbetet pa një afat konkret për avancimin e procesit evropian.
Sipas raportimit të mediumit zviceran Waston, duke iu referuar vlerësimit të ri të Komisionit Evropian, Mali i Zi mund t’i përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026.
Nëse përmbushen kushtet e kërkuara, marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027, ndërsa pranimi në BE mund të realizohet në vitin 2028.
Për Shqipërinë, Komisioni Evropian vlerëson se përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2027 është i mundshëm, por kërkon vazhdimin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Tirana ka hapur edhe grupkapitullin e fundit të negociatave, duke hyrë në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit, transmeton Telegrafi.
Situata është dukshëm më e ndërlikuar për Kosovën. Sipas raportit të Komisionit Evropian, për vendin nuk është përcaktuar ende një udhërrëfyes konkret për fazat e ardhshme të anëtarësimit, ndryshe nga Mali i Zi dhe Shqipëria.
Për më tepër, procesi i reformave të lidhura me integrimin evropian është ngadalësuar për shkak të krizës së zgjatur institucionale.
Brukseli vlerëson se Kosova ka shënuar disa përparime, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Megjithatë, kërkohen hapa të mëtejshëm në funksionimin e sistemit të drejtësisë, respektimin e të drejtave themelore dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga dialogu me Serbinë.
Një zhvillim i rëndësishëm për Kosovën është edhe vendimi i Komisionit Evropian për heqjen e masave ndaj vendit, pas ndryshimeve në qeverisjen lokale në veri.
Kjo ka mundësuar rifillimin e bashkëpunimit përmes mekanizmave të procesit të Stabilizim-Asociimit dhe vazhdimin e asistencës financiare.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se është i gatshëm të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, nëse një gjë e tillë kërkohet nga Këshilli i BE-së.
Ndërkohë, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga 33 kapitujt e negociatave dhe konsiderohet vendi më i avancuar në mesin e kandidatëve.
Pas tij renditet Shqipëria, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me pengesa institucionale dhe politike në rrugën drejt integrimit.
Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor po merr rëndësi të re strategjike për Brukselin, por raporti i fundit dëshmon se vendet e rajonit nuk po ecin me të njëjtin ritëm dhe se perspektiva evropiane mbetet e lidhur ngushtë me përmbushjen e reformave dhe kushteve të kërkuara./Telegrafi/




