Një propozim i ri në Zvicër synon të garantojë pagë minimale prej 5 mijë frangash në muaj për të gjithë punëtorët që kanë përfunduar shkollimin profesional.

Kërkesa është bërë nga kryetari i Sindikatës Zvicerane (SGB), Pierre-Yves Maillard, i cili synon ta realizojë këtë përmes një iniciative popullore.
Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, Maillard ka argumentuar se shkollimi profesional duhet të shpërblehet më mirë dhe se pagat aktuale nuk po garantojnë më një standard të mjaftueshëm jetese për shumë punëtorë.
Sipas tij, rritja e kostos së jetesës ka bërë që pagat reale të personave me shkollim profesional të pësojnë rënie gjatë viteve të fundit.
Sipas një analize të Sindikatës Zvicerane, 28% e punëtorëve që kanë përfunduar një shkollim profesional fitojnë më pak se 5 mijë franga në muaj, ndërsa 15% marrin më pak se 4.500 franga.
Përllogaritja bazohet në një orar të plotë pune prej 40 orësh në javë dhe 13 paga vjetore.
Gratë janë veçanërisht të prekura nga pagat e ulëta, pasi 1 në 3 prej tyre, me shkollim profesional, fiton më pak se 5 mijë franga në muaj.
Sipas sindikatës, situata është më e theksuar në sektorë si shitja, parukeria, gastronomia dhe kujdesi për fëmijët, por edhe në disa profesione ku dominojnë burrat, si mekanikët e automjeteve dhe shoferët.
Të dhënat e sindikatës tregojnë gjithashtu se paga mesatare reale e punëtorëve me shkollim profesional ka rënë për 2.1% krahasuar me vitin 2016.
Ndërkohë, dallimi mes pagave të personave me shkollim profesional dhe atyre me diplomë universitare është zgjeruar.
Propozimi pritet të shqyrtohet në kongresin e Sindikatës Zvicerane në fund të kësaj jave.
Nëse merr miratimin, do të përgatitet projekti për iniciativën popullore, ndërsa mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë gjatë vitit 2027.
Megjithatë, propozimi ka hasur në kundërshtimin e përfaqësuesve të punëdhënësve, të cilët argumentojnë se një pagë minimale e garantuar nga shteti nuk është mënyra e duhur për të vlerësuar shkollimin profesional dhe mund të krijojë vështirësi për bizneset./Telegrafi/





