Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me 7 vjet burgim dhe 500 euro gjobë të pandehurin A.M. për grabitje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ngjarja kishte ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, prapa këndit të lojërave “Kids Center”, në rrugën “Ferid Domi”.
I pandehuri, së bashku me 2 të mitur, I.A. dhe A.A., fillimisht kishte lënë takim me viktimën E.B., të cilit më pas ia kishte marrë çantën duke përdorur dhunë, transmeton KosovaPress.
Sipas përshkrimit të rastit, A.M., duke mbajtur një thikë në dorë, e kishte kapur viktimën nga çanta dhe gjatë përleshjes e kishte goditur disa herë në krahun e majtë me dorezën e saj.
Më pas, ai kishte prerë rripin e çantës dhe kishte marrë nga portofoli i viktimës 115 euro.
Pas grabitjes, i pandehuri dhe 2 të miturit e kishin sulmuar sërish viktimën me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Gjykata ka bërë të ditur se kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, e ka shpallur fajtor A.M. për veprën penale “Grabitja”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i vendimit në formë të shkruar.





