Zulfaj: Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes

Zulfaj: Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes

Zulfaj: Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes

Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave që kishin afat deri në qershor të këtij viti si shkak i bllokadës politike, ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj.

Duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian, Zulfaj ka thënë se nga 13 hapat e paraparë në periudhën shtesë deri në qershor 2026, Kosova ka arritur t’i zbatojë shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë nuk janë përmbushur në afatin e përcaktuar.

Sponsor 3M Express

Ai ka bërë të ditur se vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën është 882.6 milionë euro, ku dy të tretat janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, të cilat duhet të përmbushen deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.

“Siç e dini, Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e 882.6 milionë euro, ku 2/3 janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, deri në fund të gushtit të vitit që vjen. Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milionë euro. Shuma përfundimtare do të mbahet prej vlerësimit të Bashkimit Evropian, me ç’rast po besojmë që në këto ditë të para të nëntorit do ta bëjnë të ditur se sa realisht do të jetë vlerësimi i saktë. Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, tha ai.

Zulfaj ka theksuar se shumica e reformave të papërmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një periudhë kur ky institucion ishte i shpërndarë.

Megjithatë, ai ka thënë se këto reforma janë rikthyer në proces dhe synohet të miratohen gjatë këtij viti, përfshirë ligjet për energjinë dhe falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe strategjinë kundër krimit të organizuar.

“Shumica e tyre kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një kohë kur Kuvendi, siç e dini, ishte i shpërndarë. Megjithatë, të gjitha këto reforma janë në rrugë të zbatohen këtë vit, ligji për energjinë, për falimentimin, pakoja ligjore për drejtësinë dhe strategjia kundër krimit të organizuar, pra të gjitha reformat, sepse procesi në tërësimi në BE është proces reformator, dhe të gjitha reformat të cilat nuk kanë arritur afatin e qershorit janë kthyer sërish në Kuvend, në qeveri fillimisht, pastaj në Kuvend, ashtu që të mos humbet asnjë reformë. Edhe nëse mjetet nuk arrijnë të përmbushen me kohë”, tha ai.

Kryenegociatori ka paralajmëruar se deri më 31 dhjetor Kosova duhet t’i përmbushë edhe 22 hapa të tjerë, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh.

Sipas tij, dhjetë akte duhet të miratohen në Kuvend, ndërsa një pjesë e projektligjeve pritet të procedohen nga Qeveria.

“Tani kemi përpara vetes 22 hapa në vlerë prej 131.5 milionë euro, që skadojnë më 31 dhjetor. Pra, kanë mbetur edhe 59 ditë, 10 akte duhet të kalojnë në këtë Kuvend, projektligji për inovacion dhe ndërmarrësi tashmë është në Kuvend, kurse të tjerat Qeveria do t’i sjellë për miratim. Varësisht nga vonesat që shkaktojnë edhe Komisioni Evropian, në dërgimin e komenteve, sepse pjesë e procesit të hapave është edhe konsultimi me Bashkimin Evropian, me Komisionin Evropian, ku secili hap, sidomos në hapat e ligjeve, kërkohet që përveç konsultimeve publike që i kemi ne si pjesë e procesit, duhet të konsultohen edhe me Bashkimin Evropian, dhe Bashkimi Evropian i kërkon diku rreth 90 ditë kohë për t’i kthyer këto komente dhe kjo pastaj shkakton edhe vonesa të tjera që vonojnë ligjet. Ligjet që besoj që duhet të vijnë deri në fund të nëntorit, projektligji për inovacion, siç thashë, është këtu; projektligji për prokurimin publik, për partneritetin publiko-privat”, tha Zulfaj./EO

Burimi: Dukagjini

Lexo edhe

Peja Peace Forum 2026: Dialog ndërkombëtar mbi paqen dhe vlerat njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale

Peja Peace Forum 2026: Dialog ndërkombëtar mbi paqen dhe vlerat njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale

“Mosmirënjohja është fukarallëku ma i madh”, reagimi i Leonora Jakupit ngjall kureshtje

“Mosmirënjohja është fukarallëku ma i madh”, reagimi i Leonora Jakupit ngjall kureshtje

Kontroll në Gostivar, gjendet drogë – ndalohet një person

Kontroll në Gostivar, gjendet drogë – ndalohet një person