Zgjedhjet në Serbi: Pjesëmarrje e lartë dhe raportime për parregullsi

Zgjedhjet në Serbi: Pjesëmarrje e lartë dhe raportime për parregullsi

Zgjedhjet në Serbi: Pjesëmarrje e lartë dhe raportime për parregullsi

Që nga orët e hershme të mëngjesit, në Beograd, Novi Sad, Nish dhe qytete të tjera të Serbisë janë krijuar radhë të gjata para vendvotimeve. Disa qytetarë kanë pritur edhe nga tri orë për të ushtruar të drejtën e votës.

Qytetarët e Beogradit me të cilët ka biseduar RTK-ja kanë shprehur pritshmëri për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Sponsor 3M Express

“Pres pjesëmarrje të madhe dhe që të triumfojë sundimi i ligjit”, tha një qytetare.

“Ne të tre po presim tash e tri orë. Nëse duhet, do të presim edhe tri orë të tjera. Presim që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta”, tha një votues tjetër.

Pjesëmarrje dukshëm më e lartë se në vitin 2023

Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), deri në orën 12:00 kanë votuar 34,55 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, në të njëjtën kohë, pjesëmarrja ishte 21,33 për qind.

Ndërkohë, organizata monitoruese CRTA ka bërë të ditur se deri në orën 13:00 pjesëmarrja kishte arritur në 41,1 për qind, krahasuar me 26,6 për qind në zgjedhjet e mëparshme.

Pjesëmarrja më e lartë deri në mesditë u regjistrua në Vojvodinë, me 38,08 për qind, ndërsa në Beograd kishin votuar 35,23 për qind e votuesve.

Gjatë ditës kanë votuar edhe përfaqësuesit kryesorë politikë, përfshirë Aleksandar Vuçiqin, bartësin e Listës Studentore Ilija Srdanoviq, kryetarin e Partisë Socialiste të Serbisë Ivica Daçiq, si dhe përfaqësues të opozitës.

CRTA raporton për shkelje të fshehtësisë së votës

Pavarësisht pjesëmarrjes së lartë, dita e zgjedhjeve po shoqërohet edhe me raportime për parregullsi.

Organizata CRTA ka njoftuar se në 16 për qind të vendvotimeve që monitoron janë regjistruar vonesa në hapje, ndërsa një nga problemet më të shpeshta është shkelja e fshehtësisë së votës, veçanërisht fotografimi i fletëvotimeve.

Drejtori programor i CRTA-s, Rasha Nedeljkov, ka deklaruar se deri në mesditë fotografimi i fletëvotimeve është vërejtur në çdo të katërtin vendvotim të monitoruar nga kjo organizatë.

Në Beograd, sipas tij, kjo parregullsi është regjistruar në çdo të dytin vendvotim që monitoron CRTA.

Janë raportuar gjithashtu raste të pranisë së personave të paautorizuar në vendvotime, si dhe dyshime për blerje votash në Novi Sad.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Vladimir Dimitrijeviq, ka deklaruar se votimi kryesisht po zhvillohet në rregull, megjithëse janë regjistruar disa incidente dhe mosmarrëveshje ndërmjet anëtarëve të këshillave zgjedhorë.

Votimi nga Kosova dhe diaspora

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi të drejtë vote kanë gjithsej 6.451.292 qytetarë, ndërsa për 250 vende në Kuvend garojnë 18 lista zgjedhore.

Për votuesit serb nga Kosova janë caktuar 60 vendvotime në katër qytete të Serbisë, Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Interesim për zgjedhjet ka edhe në diasporë, ku janë regjistruar mbi 102 mijë votues. Votimi jashtë Serbisë është organizuar në 93 vendvotime në 37 shtete.

Procesin zgjedhor po e përcjellin mbi 16 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian.

Koordinatori i posaçëm i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve, Zhil Bom, ka vlerësuar se pjesëmarrja e lartë tregon interesimin e qytetarëve për të ardhmen e vendit. Ai ka thënë se përfaqësuesit e dy listave kryesore zgjedhore i kanë shprehur gatishmërinë për t’i pranuar rezultatet.

Vendvotimet do të mbyllen në orën 20:00, kur priten edhe vlerësimet e para të rezultateve.

Zgjedhjet po mbahen pas protestave disamujore studentore dhe qytetare, ndërsa vëmendja është përqendruar kryesisht te blloku i Aleksandar Vuçiqit dhe Lista Studentore.

Rezultatet do të tregojnë se në çfarë mase pakënaqësitë e qytetarëve janë shndërruar në mbështetje elektorale, ndërsa vlerësimet e vëzhguesve do të jenë të rëndësishme për besueshmërinë e procesit zgjedhor.

 

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Avokati serb kërkon nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja hetime për dyshimet për blerje votash nga partia e Vuçiqit

Avokati serb kërkon nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja hetime për dyshimet për blerje votash nga partia e Vuçiqit

Cubarsi paralajmëron Barcelonën për yllin e madh të Real Madridit: Ai mund ta vendosë ndeshjen në çdo moment

Cubarsi paralajmëron Barcelonën për yllin e madh të Real Madridit: Ai mund ta vendosë ndeshjen në çdo moment

Përplasje mes protesuesve dhe policisë në Tiranë – nisin arrestimet

Përplasje mes protesuesve dhe policisë në Tiranë – nisin arrestimet