Barcelona po monitoron nga afër sulmuesin maroken Yassir Zabiri, i cili po kalon një formë të shkëlqyer te Racing Santander dhe ka tërhequr vëmendjen e drejtorit sportiv të katalunasve, Deco.

Sulmuesi 21-vjeçar, i huazuar nga Rennes te skuadra spanjolle deri në qershor të vitit 2027, ka shënuar tetë gola në dhjetë ndeshje të La Ligës, duke u shndërruar në njërin prej sulmuesve më efikasë të kampionatit.
Paraqitjet e tij kanë bërë që Barcelona ta konsiderojë si një alternativë të mundshme për përforcimin e repartit ofensiv. Mosha e re, shifrat e golave dhe përshtatja e shpejtë me futbollin spanjoll janë tri arsyet kryesore që e kanë vendosur Zabirin në radarët e klubit katalunas.
Me tetë gola në dhjetë xhiro, marokeni renditet ndër golashënuesit më të mirë të kampionatit, me shifra të njëjta me Lamine Yamalin, ndërsa përpara tij janë Raphinha dhe Kylian Mbappe.
Interesimi i Barcelonës lidhet edhe me aspektin financiar. Zabiri iu bashkua Rennesit nga Famalicao për rreth 10 milionë euro, por paraqitjet e tij në Spanjë kanë bërë që vlera e tij në treg të arrijë rreth 20 milionë euro.
Megjithatë, transferimi i tij nuk pritet të jetë i lehtë. Racing Santander e ka në huazim sulmuesin deri më 30 qershor 2027, pa opsion blerjeje, ndërsa kontrata e tij me klubin francez është e vlefshme deri në vitin 2029.
Për më tepër, klauzola e tij e lirimit kalon shifrën prej 20 milionë eurosh.
Rennes e kontrollon të ardhmen e futbollistit dhe nuk mund ta rikthejë atë para kohe gjatë këtij sezoni, çka e ndërlikon çdo lëvizje të mundshme në afatin kalimtar të janarit./Telegrafi/




