Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar lidhur me protestën e sotme, duke thënë se ajo vë në pah gjendjen e rëndë ekonomike dhe problemet me të cilat përballen qytetarët.

Përmes një postimi, Ymeri ka theksuar se protestat nuk duhet të shihen si një garë për të numëruar pjesëmarrësit, por si shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisjes.
Ajo ka kritikuar Qeverinë për propagandë dhe mungesë të besimit te qytetarët, duke përmendur ndërhyrjet në krijimtarinë artistike, premtimet për investime dhe, siç është shprehur, mungesën e respektit ndaj bujqve.
Deputetja e LDK-së ka deklaruar se mbështet protestat paqësore, pa paragjykuar organizatorët e tyre. Sipas saj, protestat do ta japin efektin e tyre kur qytetarët të jenë të gatshëm t’i japin fund asaj që ajo e quan diktat në rritje.
Në reagimin e saj, Ymeri ka përmendur edhe rastet e vdekjeve për të cilat fajëson papërgjegjësinë e Qeverisë, si dhe paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Në fund, ajo ka shprehur bindjen se largimi i pushtetit aktual është i pashmangshëm, duke thënë se qytetarët synojnë një Kosovë më të zhvilluar dhe me kushte më të mira jetese.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




