Java e parë e nëntorit do të sjellë mot të ftohtë, vranësira dhe reshje shiu në Kosovë, ndërsa në viset e larta malore pritet edhe borë.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), gjatë periudhës 2–6 nëntor, temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri në 4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 5 deri në 11 gradë.
Reshjet më të theksuara parashihen të martën, më 3 nëntor, kur në zonat e larta malore shiu mund të përzihet me borë.
Mot kryesisht i vranët dhe me mundësi për reshje lokale shiu pritet edhe të hënën, të mërkurën dhe të enjten. Ndërkaq, të premten parashihet përmirësim gradual i motit, me intervale me diell.
IHMK ka paralajmëruar se temperaturat e ulëta dhe lagështia e shtuar mund të ndikojnë veçanërisht te personat me sëmundje kronike, reumatike dhe të sistemit të frymëmarrjes.
Instituti rekomandon që qytetarët të përdorin veshje më të ngrohta gjatë ditëve në vijim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




