Platforma sociale X ka prezantuar një funksion të ri të kontrollit prindëror për përdoruesit e moshës 13 deri në 17 vjeç, përmes të cilit prindërit dhe kujdestarët do të kenë më shumë mundësi të mbikëqyrin aktivitetin e adoleshentëve në platformë.

Përmes këtyre mjeteve, prindërit do të mund të kufizojnë kohën që fëmijët kalojnë në X, të miratojnë ndjekësit e rinj dhe të përcaktojnë se kush mund t’u dërgojë mesazhe private.
Funksionet e reja janë prezantuar përmes profilit zyrtar të sigurisë së X. Sipas platformës, llogaritë e adoleshentëve do të kalojnë automatikisht në një regjim të mbrojtur, ku kufizohet shfaqja e përmbajtjes së ndjeshme dhe bllokohen reklamat e personalizuara.
Përveç këtyre masave, prindërit do të mund të shohin kohën që adoleshentët kalojnë në platformë dhe të caktojnë një kufi ditor të përdorimit.
Ata gjithashtu mund të kërkojnë miratimin e tyre për çdo ndjekës të ri, të kufizojnë rekomandimet në seksionin “For You”, si dhe të filtrojnë fjalë të caktuara dhe të çaktivizojnë përmbajtjen e ndjeshme.
Një tjetër mundësi është përcaktimi i personave që mund t’u dërgojnë mesazhe private adoleshentëve.
Megjithatë, kontrolli prindëror ka edhe kufizime. Prindërit do të mund të shohin me cilat llogari kanë komunikuar fëmijët e tyre, por nuk do të kenë qasje në përmbajtjen e bisedave private.
Sipas X, ata gjithashtu nuk mund të shohin çfarë kërkojnë apo shikojnë adoleshentët në platformë, të publikojnë përmbajtje në emër të tyre apo të kenë qasje të drejtpërdrejtë në llogaritë e tyre.
Lidhja mes llogarisë së prindit dhe asaj të adoleshentit realizohet përmes udhëzimeve në qendrën e ndihmës së X dhe kërkon pëlqimin e të dyja palëve. Një prind mund të mbikëqyrë deri në pesë llogari të adoleshentëve.
Kompania rikujton se X nuk është platformë e destinuar për fëmijët dhe se mosha minimale për përdorim është 13 vjeç, ose më e lartë në vendet ku këtë e përcakton ligji.
Deri më tani, platforma ofronte vetëm mundësi të kufizuara për kontrollin e përmbajtjes me video për përdoruesit nën 16 vjeç, ndërsa prindërit duhej të plotësonin një formular dhe të dorëzonin dokumente për të kërkuar këtë mbikëqyrje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





