Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka kundërshtuar ndërtimin e një parkingu nëntokësor dhe të një objekti kolektiv në hapësirën e njohur si “Fontana”, në lagjen Ulpiana të Prishtinës.

Gjatë një vizite në këtë hapësirë, Sveçla ka thënë se projekti, i cili është miratuar në seancën e jashtëzakonshme të 6 nëntorit, është paraqitur nga ekzekutivi i Prishtinës në emër të Lojërave Mesdhetare, ndonëse, sipas tij, nuk ka ndërlidhje me këtë organizim.
Ai ka bërë të ditur se asamblistët e Vetëvendosjes kanë votuar kundër propozimit për dy arsye: mungesën e lidhjes së projektit me Lojërat Mesdhetare dhe ndikimin që ndërtimet e reja mund të kenë në karakterin urban të Ulpianës.
“Siç e dini, më 6 nëntor, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Prishtinës, jo vetëm që është diskutuar, por edhe është miratuar një projekt i ekzekutivit të Prishtinës, që ka të bëjë me ndërtimin e një parkingu nëntokësor dhe një objekti kolektiv në këtë hapësirë ku ndodhemi. Propozimi ka ardhur kinse në emër të Lojërave Mesdhetare. Ne, që në seancë, e kemi kundërshtuar këtë propozim për dy arsye. Arsyeja e parë është sepse kemi qenë të bindur, dhe më vonë u dëshmua edhe nga ministri i Sportit, i cili konstatoi se ky projekt nuk ka të bëjë me Lojërat Mesdhetare. Arsyeja e dytë është se po flasim për Ulpianën, një lagje ikonike të qytetit, një ndër lagjet më të urbanizuara që ka Prishtina. Andaj, ndërtimi i objekteve shtesë do ta rëndonte këtë lagje dhe do t’ia humbte karakterin urban. Për këtë arsye, ne votuam kundër këtij propozimi”, ka deklaruar Sveçla.
Sipas tij, pavarësisht kundërshtimit të Vetëvendosjes, propozimi ka marrë mbështetjen e asamblistëve të LDK-së, PDK-së dhe partive të tjera që qeverisin me Prishtinën.
“Fatkeqësisht, me votat e asamblistëve të LDK-së dhe PDK-së, si dhe të partive të tjera që qeverisin me Prishtinën, ky propozim u miratua”, ka thënë ai.
Sveçla ka përmendur edhe reagimet publike të qytetarëve kundër projektit, duke theksuar se Ulpiana ka rëndësi të veçantë për banorët e Prishtinës, por edhe për gjenerata të studentëve që kanë jetuar dhe studiuar në këtë qytet.
Ai ka thënë se pas reagimeve publike, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është tërhequr nga projekti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka deklaruar se projekti nuk do të vazhdojë nëse qytetarët nuk e duan atë.
“Pastaj, siç e dini, kishte një reagim publik të qytetarëve të Prishtinës dhe jo vetëm të Prishtinës, sepse Ulpiana ngjall nostalgji dhe ka histori për secilin student që ka qenë në Prishtinë për dekada të tëra. Si pasojë e këtij reagimi publik, pamë një tërheqje të Përparim Ramës mbrëmë, përmes një statusi ku ai tha se, nëse qytetarët nuk e duan projektin, ai nuk do të ecë përpara”, ka deklaruar Sveçla.
Megjithatë, ai ka kritikuar deklarimin e Ramës, duke pretenduar se përmes tij po krijohet një pasqyrë e pasaktë për procedurën e miratimit të projektit.
Sipas Sveçlës, kryetari i Prishtinës ka deklaruar se fillimisht duhet të merret pëlqimi i banorëve dhe më pas propozimi të votohet në Kuvend, por ai ka theksuar se vendimi tashmë është miratuar me 29 vota për.
“Ajo që vlen të potencohet në këtë rast është se kemi të bëjmë me një tendencë për mashtrim nga zoti Rama, sepse ai tha që fillimisht duhet të merret pëlqimi i banorëve dhe pastaj të votohet propozimi në Kuvend. Kjo nuk ka ndodhur. Ky propozim tashmë është votuar në Kuvend me 29 vota për”, ka thënë Sveçla.
Ai ka paralajmëruar se në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal, në cilëndo datë që ajo të mbahet, Vetëvendosje do të propozojë anulimin e vendimit për projektin “Ulpiana 2030”.
Sveçla ka thënë se partia e tij do t’i ndjekë edhe rrugët e tjera administrative dhe ligjore për ta kundërshtuar projektin. Ai ka bërë të ditur se do të paraqesin ankesë në Ministrinë e Pushtetit Lokal, si organ që shqyrton vendimet e komunave, ndërsa nëse projekti nuk ndalet përmes kësaj rruge, do t’i ndjekin edhe procedurat gjyqësore.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe rolin e asamblistëve të Uran Ismailit, të cilët, sipas tij, e kanë mbështetur propozimin.
“Prandaj për të mos i lënë asgjë rastësisë, ne si LVV në seancën e radhës, kurdo që ajo mbahet do të propozojmë që të bëhet anulimi i vendimit për projektin Ulpiana 2030. Nuk duhet harruar që në këtë qëllim të tij të keqin, po i ndihmon dhe shërben partneri i tij Uran Ismaili, asamblistët e të cilit e mbështeten këtë propozim. Ne pamë një zmbrapsje të zotit Rama përmes statusit të tij në rrjetet sociale, gjithashtu kemi reagim të qytetarëve dhe banorëve të Ulpianës dhe ne do t’i ndjekim edhe rrugët e tjera administrative dhe ligjore. Do të ankohemi në Ministrinë e Pushtetit Lokal, si organ që i shqyrton vendimet e komunave, por në anën tjetër nëse as aty nuk ndalohet, gjithsesi do t’i ndjekim edhe procedurat gjyqësore”, ka deklaruar ai.
Në fund, Sveçla ka kundërshtuar edhe arsyetimin se ndërtimi në këtë hapësirë është i nevojshëm për akomodimin e sportistëve të Lojërave Mesdhetare. Sipas tij, akomodimi i tyre është planifikuar të bëhet në hapësirat e konvikteve të studentëve, ndërsa nëse nevojiten konvikte shtesë, ato duhet të ndërtohen brenda asaj hapësire dhe jo në Ulpianë.
“Është thënë që ky projekt bëhet për akomodimin e sportistëve të Lojërave Mesdhetare, ne e kemi kundërshtuar këtë sepse e dimë që akomodimi i sportistëve do të bëhet në hapësirat në anën tjetër, te konviktet e studentëve, dhe nëse ka nevojë për konvikte shtesë, ato do të ndërtohen brenda asaj hapësire jo në pjesën e Ulpianës”, ka thënë Sveçla.
Burimi: Insajderi




