Një grua u gjet e vdekur të dielën mbrëma në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, disa orë pasi ishte intervistuar nga Policia për rast të dhunës në familje.
Sipas Policisë së Kosovës, fillimisht rreth orës 19:00, policia ishte njoftuar për rastin e dhunës në familje. Gruaja ishte shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Pas intervistimit, gruaja ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë, me vullnetin e saj, thuhet në njoftimin e Policisë.
Por, rreth orës 21:10, policia ishte njoftuar se ajo ishte gjetur pa shenja jete në shtëpi. Ekipi mjekësor kishte konstatuar vdekjen e saj.
Sipas të dhënave fillestare të Policisë, dyshohet se gruaja vdiq si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari, që dyshohet të jetë kunati i viktimës, ndodhet në arrati.
Tri ditë para se të vritej, gruaja kishte dorëzuar një parashtresë te kryeprokurorja e Pejës, duke kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, të cilët i akuzonte për moskryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
Burimi: Dukagjini




