Ramush Haradinaj ka reaguar në emër të Aleancës, duke deklaruar se partia nuk do të bëhet pjesë e takimeve politike me kryeministrin Albin Kurti.

Ai përmes një video postimi në rrjetin social në Facebook tha se kanë kritikuar qeverisjen për çështjet e energjisë, tenderët njëburimorë dhe ndërhyrjet e pretenduara në institucionet e pavarura.
Haradinaj ka theksuar se Aleanca ka kërkuar interpelancë lidhur me situatën energjetike dhe, sipas tij, abuzimet në tregtinë e energjisë.
“Kryetari Ardian dhe Aleanca su bën pjesë e lojërave në takime me Kurtin. Aleanca ka kërkuar interpelancë me situatën për energji, për abuzime me tregtëi për energji. E kemi ngrit zërin në vazhdimësi për tenderat një burimore,e kemi ngrit zërin për ndërhyrje në prokurori, në gjyqësorë dhe të githa institucionet e pavarura të vendit”, tha Haradinaj.
Ai po ashtu theksoi se partia ka ngritur vazhdimisht shqetësime edhe për tenderët njëburimorë, si dhe për ndërhyrjet e pretenduara në prokurori, gjyqësor dhe institucione të tjera të pavarura të vendit.
Duke folur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekaj, Haradinaj ka deklaruar se Aleanca e ka ngritur zërin me përgjegjësi, duke u kujdesur që tragjedia të mos keqpërdoret për qëllime politike dhe që të mbrohen dinjiteti i familjes dhe vlerat familjare shqiptare.
Ai ka pretenduar se sulmet dhe shpifjet ndaj Aleancës nuk lidhen me emrin apo mbiemrin e tij, por me qëndrimin politik të partisë, e cila, sipas tij, nuk pranon t’i nënshtrohet pushtetit aktual.
“Me të drejtë e ngritim zërin me përgjegjësi për rastin e vrasjes së një nëne. Ne kemi bo kujdes mos me keqpërdor tragjedinë e askujt… Ta dini që sulmet që bëhen ndaj nesh nuk kanë të bëjnë me emrin dhe mbiemrin tim, por kanë të bëjnë me faktin se Aleanca nuk i nënshtrohet regjimit. Ata duke e pa se ne nuk nënshtrohemi po përdorin sulme të ndryshme e shpifje ndaj nesh, nga frika se qytetarët një ditë do të revoltohen dhe do të dalin në rrugë për të gjitha këto të padrejta që po i bëhen qytetarit të vendit. Po nëse qytetarët dalin në rrugë ne i mbështesim. Po do të jemi më qytetarë do të jemi me popullin. Jo asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi regjimit të Kurtit”. /Telegrafi/




