Dy persona kanë përfunduar në pranga pas një serie vjedhjesh të produkteve ushqimore në Fushë Kosovë. Gjithçka nisi me denoncimin e dy vjedhjeve në marketin “Viva FLY”, ku ishin marrë artikuj në vlerë rreth 47 euro, por hetimet zbuluan se të dyshuarit lidheshin edhe me tri raste të tjera, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, të dyshuarit janë Arben Gashi (1981) dhe Flamur Lahi (1992).
Dy vjedhjet në marketin “Viva FLY”, në rrugën “Hajrullah Zymi”, dyshohet se kanë ndodhur më 14 dhe 15 nëntor, ndërsa rasti është denoncuar në Polici të dielën, rreth orës 14:00.
Pas raportimit, hetuesit kanë identifikuar dy të dyshuarit dhe i kanë shoqëruar në Stacionin Policor në Fushë Kosovë.
Gjatë intervistimit, të dy kanë pranuar se kishin kryer vjedhjet në marketin “Viva FLY”.
Por pamjet e kamerave të sigurisë kanë nxjerrë në pah edhe tri raste të tjera, në të cilat dyshohet se ishin përfshirë të njëjtët persona.
Sipas burimeve të Sinjalit, Gashi dhe Lahi kanë pranuar edhe këto vjedhje, duke deklaruar se kishin marrë vazhdimisht produkte ushqimore nga markete të ndryshme në Fushë Kosovë.
Nga 47 eurot e raportuara fillimisht, hetimet kanë identifikuar vjedhje të produkteve ushqimore me vlerë të përgjithshme rreth 200 euro.
Me vendim të Prokurorisë, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Vjedhja”, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





